Veliaj: Pazari i Ri, projekt ikonë i Tiranës, përfundon brenda vitit

Tirana

Veliaj: Pazari i Ri, projekt ikonë i Tiranës, përfundon brenda vitit

Më: 29 shtator 2016 Në ora: 17:28
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe Drejtori i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, ndoqën sot nga afër punimet që po kryhen për realizimin e projektit të Pazarit të Ri, i cili synon rijetëzimin e gjithë zonës përreth.
 
Teksa vlerësoi ecurinë e punimeve, të cilat kanë shkuar sipas parashikimit, kryebashkiaku Veliaj falenderoi Fondin Amerikano-Shqiptar për kontributin financiar, si dhe theksoi se ky projekt do t’i japë Tiranës një tjetër hapësirë të denjë, si për ata që do bëjnë tregti, ashtu edhe për ata që gjatë pasdites do ta frekuentojnë atë për të pushuar apo për të kaluar kohën e lirë.
 
“Kemi ecur jashtëzakonisht mirë me një nga projektet ikonë të qytetit tonë, si projekti i Pazarit të Ri. Kemi hyrë në një fazë të re të bashkëpunimit, ku nuk jemi aty thjesht për të kërkuar ndihmë, por si bashkëpunëtorë dhe partnerë.

Kjo do të thotë se Fondi Shqiptaro-Amerikan po financon pazarin dhe tregun e fruta-perimeve dhe sheshin, Bashkia e Tiranës po bën tregun dhe markatën e mishit dhe të peshkut, kurse qeveria qendrore me anë të FZHR-së, po na ndihmon me fasadat dhe rritjen e vlerës së gjithë pronave përreth”, tha Veliaj.

Më tej, ai u shpreh besimplotë se brenda këtij viti do të përfundojë një pjesë e këtij pazari, që ka të bëjë me tregun e fruta-perimeve dhe markatën e mishit dhe të peshkut.
 
“Deri në fund të vitit do të përfundojmë tregun e fruta-perimeve dhe tregun e mishit edhe të peshkut; deri në pranverë do të kemi mbaruar fasadat për të krijuar një model se çfarë do të jetë Tirana e së ardhmes, një hapësirë komunitare, ku edhe pse jemi shumë veta na duhet ta ndajmë atë territor bashkë, një hapësirë ku kujdesemi sepse çdo kujdes ndaj pronës publike është në thelb një rritje e vlerës së pronës private.

Kjo besoj jo vetëm për njësinë 2, që është zemra e Tiranës dhe kufiri mes njësisë 2 dhe 8, por për gjithë Tiranën besoj që kjo do të jetë graviteti dhe epiqendra e jetës publike në Tiranë”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.

“Ideja është që të gjithë ata që do të punojnë, investojnë, do të shesin dhe do të blejnë, që do të banojnë këtu, do të jenë gjithashtu edhe bashkëaksionerë të administrimit. Pra do të kemi një administrim të përbashkët, si një zonë e zhvillimit të biznesit për të ofruar një model të ri se si investimi ka jetë të gjatë falë një menaxhimi korrekt.

Jemi duke parë me Fondin Amerikan disa koncepte menaxhimi, një treg të ngjashëm në Londër, disa tregje në vende të tjera, po marrim elementet më të mira, sigurisht duke i përshtatur në kostumin e një mentaliteti shqiptar të operimit në hapësirën publike”, theksoi Veliaj.

Ai sqaroi edhe një herë se është menduar që Pazari i Ri të jetë një hapësirë që të funksionojë 24 orë, ku paradite fokusi më i madh të jetë tek çështjet e tregtisë dhe të pazarit dhe pasdite të jetë kryesisht në çështje të kulinarisë, për restorantet rreth e rrotull dhe aktivitete të tjera kulturore, siç mund të jenë shumë prej festave apo panaireve.
 
Drejtori i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff theksoi se ky është një projekt dhe një shembull jashtëzakonisht i mirë për të treguar se si puna në ekip mund të përmirësojë jetën e qytetit dhe qytetarëve.

“Siç e shihni, ky është një projekt mjaft ambicioz, që ka mundësinë të transformojë, jo vetëm këtë zonë, por të fillojë gjithashtu transformimin e gjithë qytetit të Tiranës.

Është një projekt goxha i madh, që askush nga ne nuk mund ta bënte vetëm dhe shembulli më i mirë që jep ky projekt është bashkëpunimi dhe partneriteti i krijuar midis Bashkisë, ekipit tonë dhe midis qeverisë qendrore, për të arritur një  përfundim dhe një rezultat sa më të mirë.

Ky nuk është vetëm një projekt publik, është një projekt i një partneriteti publik dhe privat. Ideja është që të gjithë personat që jetojnë dhe punojnë këtu do të jenë pronarë të kësaj hapësire”, tha Granoff.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat