Bashkia e Tiranës, rrjet të ri ujësjellësi në Kinostudio

Tirana

Bashkia e Tiranës, rrjet të ri ujësjellësi në Kinostudio

Më: 18 shtator 2016 Në ora: 15:30
Erion Veliaj

Rreth 5 mijë banorë të rrugës “Kahreman Ylli” në Kinostudio nuk do të kenë më probleme të furnizimit me ujin e pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës ka ndërhyrë në rrjetin e ujësjellësit duke e ndërruar plotësisht atë, për shkak të amortizimit që kishte pësuar ndër vite. Kjo ndërhyrje bën të mundur që gjithë banorët e kësaj zone të furnizohen normalisht me ujë të pijshëm.

Punimet u inspektuan nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili falenderoi qytetarët që iu përgjigjën thirrjes së ujësjellësit për të paguar faturat e ujit, duke marrë si përgjigje investime konkrete nga ana e UKT-së.

“Falenderoj qytetarët që i janë përgjigjur thirrjes së ujësjellësit për të paguar faturat dhe likujduar borxhet. Kjo është e vetmja mënyrë se si këto pagesa i përkthejmë në investime. Për 5 mijë banorë të rrugës “Kahreman Ylli”, një pjesë të madhe të bllokut të ri të banesave në Kinostudio, shtojmë furnizimin me ujë, kalojmë nga tubat e gizës dhe çelikut, që kishin 50 vjet pa u vënë dorë dhe që arnoheshin dhe saldoheshin çdo vit, në një linjë magjistrale, e cila furnizon me ujë të bollshëm këtë zonë”, tha Veliaj. Kryebashkiaku kujtoi se edhe pse kjo ka qenë një verë e thatë, falë gatishmërisë dhe punës së vazhdueshme të bashkisë dhe UKT-së është bërë e mundur që banorët të mos vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.

Kryebashkiaku vlerësoi më tej punën e UKT-së, e cila nga një ndërmarrje e falimentuar është kthyer në një kompani tërheqëse edhe për investitorët.

Investimi në njësinë nr. 4 në Kinostudio është vlerësuar edhe nga kreu i UKT-së, Redi Molla, i cili tha se ky investim do të përmirësojë furnizimin me ujë dhe do të shtojë orarin e furnizimit për rreth 5 mijë banorë të zonës, si dhe është një shembull bashkëpunimi midis Bashkisë së Tiranës dhe UKT.

Ky projekt është në në vazhdën e një sërë investimesh të rëndësishme që UKT-ja ka kryer gjatë këtij viti, të cilat kanë dyfishuar kohën e furnizimit me ujë të banorëve të kryeqytetit. Nga 6-7 orë në ditë që ishte më parë furnizimi me ujë, sot ka shkuar në mesatarisht 12-13 orë në ditë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat