Policia i kërkon Bashkisë lirimin e sheshit “Skënderbej”

Tirana

Policia i kërkon Bashkisë lirimin e sheshit “Skënderbej”

Më: 14 shtator 2016 Në ora: 15:53
Sheshi “Skënderbej”

Situata e rënduar e trafikut në Tiranë, si pasojë e bllokimit të sheshit “Skënderbej”, ka shqetësuar edhe Policinë Rrugore të kryeqytetit.

Rrugorët janë gjetur të papërgatitur dhe janë kapur në befasi nga vendimi i Bashkisë së Tiranës, për të nisur punimet pa paralajmërim.

Edhe pse policia i shtoi patrullat e saj nëpër rrugë për të disiplinuar trafikun, ajo e pati të pamundur të shmangte bllokimet, veçanërisht ditën e parë të shkollës.

Për këtë arsye, Komisariati i Policisë Rrugore i ka kërkuar zyrtarisht Bashkisë, që të lejojë lëvizjen e makinave në sheshin “Skënderbej”, për t’i thënë frymëmarrje qarkullimit.

Në një shkresë drejtuar administratës së Bashkisë, policia i bën me dije masat që duhen marrë për të zhbllokuar trafikun.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i pyetur gjatë një inspektimi të punës së Policisë Rrugore, për ndëshkimin e drejtuesve që nuk mbajnë rripin e sigurimit, nuk e mohoi ekzistencën e shkresës. Ai pranoi se mbyllja e sheshit ka krijuar probleme, por tha se kjo do të jetë e përkohëshme dhe do të gjendet një zgjidhje.

Situata e qarkullimit të mjeteve në Tiranë është rënduar pasi edhe sheshi “Nënë Tereza” mbahet i bllokuar prej disa muajsh, ndërkohë qe as Unaza e Vogël e Tiranës nuk funksionon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat