Veliaj: Pas një viti Tirana me hapësirën më të madhe pedonale

Tirana

Veliaj: Pas një viti Tirana me hapësirën më të madhe pedonale

Më: 7 shtator 2016 Në ora: 18:47
Erion Veliaj

Pas një viti, sheshi “Skënderbej” do të shndërrohet në sheshin simbol të të gjithë shqiptarëve.

Pas turit të 24 dëgjesave publike me qytetarët të organizuara nga bashkia e Tiranës, paraditen e sotme nisi puna për zbatimin e fazës së parë të projektit të “Rikualifikimit urban të sheshit Skënderbej”.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi se ky projekt do t’i japë sheshit qendror të qytetit një hapësirë që respekton së pari, njerëzit. Mandej, u shpreh i bindur se pavaresisht debatit që shkakton çdo punë e bashkisë, në fund edhe ky projekt, ashtu si çdo projekt tjetër, do të pëlqehet nga qytetarët.

“Sot po fillojmë me pjesën qendrore, e cila kryesisht është e shtruar me pllaka dhe gurë dekorativë nga gjitha trevat shqiptare. Në vjeshtë do të nisim parkimin nëntokësor, me kapacitet për 300 makina”, u shpreh Veliaj.

Ai bëri të ditur gjithashtu se punimet do të përfundojnë brenda afateve të caktuara, ndërsa ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve që të përdorin sa më pak makinat dhe të shmangin në maksimum lëvizjet në qendër të Tiranës.

Duke i kërkuar ndjesë qytetarëve për vonesat e shkaktuara në këtë ditë të parë të punimeve, kryebashkiaku theksoi se sa i përket trafikut, ai do të ketë një lehtësim të ndjeshëm, pasi shumë shpejt do të vihet në punë edhe pjesa e mbetur e Unazës së Vogël.

Faza e parë e punimeve të zbatimit të projektit të “Rikualifikimit Urban të Sheshit Skënderbej” përfshin punime në sheshin kryesor, ku do të fillohet me kompletimin e sistemit të kanalizimit të ujërave të shiut, si dhe atë të shatërvanëve dhe më pas do të vazhdohet me nënshtresat dhe shtresën përfundimtare të gurëve nga gjithë trevat shqiptare.

Gjithashtu, do të punohet edhe në zona të tjera që janë të përfshira në këtë fazë si, ajo rreth Muzeut Kombëtar, nga ku dhe do të fillojnë punime, ajo përpara Pallatit të Kulturës, si dhe përpara Bankës së Shqipërisë.

Në zonën e Muzeut Kombëtar do të bëhet rikonstruksioni total i xhokolit të ndërtesës, rikonstruksioni i shkallëve hyrëse në Muzeun Kombëtar, si dhe do të punohet në lulishtet përreth Muzeut, qe do të shndërrohen në kopësht botanik. Puna do të vazhdojë me rikonstruksionin e shkallëve të Pallatit të Kulturës dhe platformave hyrëse të Teatrit të Operas dhe Bibliotekës Kombëtare. Kjo fazë do të ndiqet nga zbatimi i punimeve të projektit të parkimit nëntokësor, që do të fillojë në fund të muajit tjetër. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat