Ristrukturohet kopshti ‘Beni ecën vetë’

Tirana

Ristrukturohet kopshti ‘Beni ecën vetë’

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 13:03
Ilustrim

Një tjetër kopësht në kryeqytet ka marrë një pamje krejt të re falë ndërhyrjes së bërë nga Bashkia e Tiranës. Kopshti “Beni ecën vetë” në njësinë nr. 1 është kthyer në një hapësirë cilësore për fëmijët, duke ofruar ambiente të brendshme tërësisht të rikonstruktuara, me një kënd lojërash. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve për rikonstruksionin e kopshtit nr. 56, theksoi se bashkia po mban premtimin për rikonstruksionin e 23 kopshteve para nisjes së vitit të ri arsimor.

“Kopshti ‘Beni ecën vetë’ është kopshti i 18 që rikonstruktojmë nga 23 gjithsej. Kemi edhe një javë kohë për të mbyllur 5 kopshtet e mbetura dhe për të mbajtur 100% premtimin tonë për rikonstruksionin nga e para të të gjitha kopshteve të Tiranës. Kur fëmijët të kthehen nga pushimet javën tjetër, jo vetëm këtu në Njësinë nr. 1, por në të gjitha njësitë e Tiranës, do të gjejnë infrastrukturë moderne dhe besoj se, ashtu siç ka edhe emrin, kopshti ‘Beni ecën vetë’, ky është edhe qëllimi i bashkisë, që në Tiranë çdo fëmijë të ecë vetë, të ketë të njëjtin shans si në Shkozë, si te Ali Demi, edhe në qendër të qytetit”, tha Veliaj. Sipas kryebashkiakut, fëmijët janë e ardhmja e qytetit nesër, ndaj kujdesi për këtë brez është parësor për Bashkinë e Tiranës.

“Ky qytet do të ketë fytyrën dhe të ardhmen që kanë fëmijët sot. Nëse i trajtojmë fëmijët me qytetari, me kushte dinjitoze, do të kemi një lidership më të mirë për Shqipërinë dhe për qytetin e Tiranës”, u shpreh ai.

Veliaj kujtoi se falë këtij kontributi në një vit punë, Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur përfundimin e rikonstruksionit të të gjitha çerdheve dhe kopshteve, e tashmë fokusi do të jenë shkollat e të gjitha niveleve. Ai falenderoi dhe vlerësoi punën e bërë nga i gjithë stafi i institucioneve sociale dhe arsimore të kryeqytetit. Deputeti i PS-së, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, theksoi rëndësinë e investimeve për fëmijët.

“Investimi për fëmijët është investimi më i mirë për gjeneratat e së ardhmes dhe më vjen mirë që ky kopsht është një model i shkëlqyer për të gjithë komunitetin këtu, për shkak të ambienteve të rikonstruktuara totalisht brenda, por edhe për shkak të një këndi lodrash, që fëmijët e kanë këtu dhe i krijon mundësi prindërve, gjyshërve që të sjellin fëmijët e tyre, me orare të ndryshme dhe të shfrytëzojnë hapësirën totalisht të paqtë, që është krijuar këtu” , tha ai.

Falë këtij rikonstruksioni është bërë mundur që kopshti nr. 56, të garantojë ambiente cilësore për fëmijët e njësisë nr. 1. Ndërhyrja ka nisur nga pjesët e brendshme të kopshtit, duke bërë rikonstruksion total të kuzhinës, parketit, tualeteve, rrjetit elektrik e hidraulik, e deri tek ambientet e jashtme ku është krijuar një kënd lodrash për fëmijët

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat