Projekti për lumin e Tiranës, Veliaj: Shpëton komunitetin rom nga përmbytjet

Tirana

Projekti për lumin e Tiranës, Veliaj: Shpëton komunitetin rom nga përmbytjet

Më: 8 gusht 2016 Në ora: 16:11
Erion Veliaj, gjatë inspektimit të punimeve për projektin e Lumit të Tiranës

Projekti për rehabilitimin e Lumit të Tiranës ka arritur në 90% të përfundimit të punimeve. Pas situatës së përmbytjeve të krijuara në Maqedoni nga reshjet e ditëve të fundit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot punimet për projektin e Lumit të Tiranës, i ciki parandalon situata të tilla në këtë zonë.

“Kemi ndjekur me shumë shqetësim situatën e krijuar në vendin fqinj, në Shkup, Tetovë, me shirat, mënyrën se si edhe atje lumenjtë shkaktuan fatkeqësi të jashtëzakonshme natyrore dhe sigurisht si Bashki e Tiranës shprehim solidaritetin dhe do bëjmë çfarë të mundemi, nën koordinimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, që edhe përgjigja humanitare nga ana e qytetarëve të Tiranës të jetë në lartësinë e të qenit fqinj të mirë. Por kjo mbi të gjitha është një sinjal alarmi mbi situatën që ne kemi në qytet”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranes tha se aktualisht në këtë pjesë të qytetit ka një situatë problematike. “Nga një anë kemi disa lajme të mira; kemi avancuar me projektin për Lumin e Tiranes, jemi deri në 90% të rehabilitimit total te tij. Kjo do të thotë që shmangim përmbytjet masive si ato që pamë në Maqedoni dhe në Shkup, megjithatë nuk jemi 100% aty. Në pjesën e mbetur kemi disa problematika me banorët që kanë uzurpuar shtratin e lumit dhe që në fakt jeta e tyre është e para që rrezikohet”, u shpreh Veliaj.

Bashkia e Tiranës u ka ofruar dy mundësi strehimi familjeve që jetojnë duke rrezikuar jetën e tyre dhe të fëmijëve në shtratin e lumit: bonusin e qerasë ose strehimin në Qendrën Tranzitore të Emergjencave. “Sot jemi në një situatë emergjence, për të mos mësuar nga gabimet tona, por ndoshta për të mësuar nga fatkeqësitë e të tjerëve. Sot është momenti që ne të marrim disa vendime: Vendimi që Bashkia e Tiranës ka marrë është që t’u kërkojë të gjithë këtyre banorëve të komunitetit rom, që janë duke banuar sot në shtrat të lumit, që të pranojnë ofertën e Bashkisë”, deklaroi Veliaj.

Krahas bonusit të qerasë, një tjetër mundësi për të gjithë këta banorë është strehimi në ambientet e repartit ushtarak në Shkozë.

“Bashkia ka miratuar bonuset e qirave, që kompensojnë zhvendosjen e tyre në një banesë që e zgjedhin ata vetë. Kemi përcaktuar edhe repartin ushtarak në Shkozë që me emergjencë do të rehabilitohet para se të na vijnë shirat e vjeshtës dhe i gjithë komuniteti të transferohet aty në banesa shumë më të mira se sa barraket që kanë aktualisht”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës solli në vëmendje problematikat e krijuara çdo vit në këtë zonë, ku në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit që shtohen reshjet, ka pasoja deri në humbje të jetës së njerëzve të banorëve që jetojnë përgjatë Bregut të Lumit. “Është koha që sot në verë të nxjerrim mësime nga ajo që ndodhi në Maqedoni dhe të sigurohemi që pa humbur kohë te vazhdojmë me zhvendosjen e banorëve që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në shtrat të lumit”, vijoi Veliaj. Më tej, ai tha se Bashkia e Tiranës duhet të sigurohet që as këta banorë dhe as pjesa tjetër e qytetit të mos paguajë haraçin e një fatkeqësie natyrore që mund të shmanget, pasi janë të gjitha mundësitë inxhinierike dhe financiare.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se kush realisht e do vërtet komunitetin duhet të ndihmojë qoftë modestisht me punë bindëse, qoftë financiarisht apo fizikisht me të mira materiale si shtëpi të reja. “Nëse nuk japin dot këtë lloj ndihme në të mira materiale për komunitetin apo shtëpi të reja për komunitetin, le ta lërë Bashkinë ta bëjë këtë punë. Por unë nuk do të toleroj më që në Bashkinë e Tiranës, për hir të disa interesave të vogla, të disa organizatave, të abuzohet me komunitetin rom, duke insistuar që të rrinë në një situatë mizerie dhe duke rrezikuar veten e tyre së pari, dhe më pas gjithë qytetin e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Ai u shpreh se sapo të hyjnë në fuqi dy opsionet e dhëna nga Bashkia e Tiranës për këtë komunitet, do të nisë edhe lëvizja e tyre. “Me të hyrë në fuqi bonusi i qirasë dhe shtëpitë e emergjencës në Repartin Ushtarak në Shkozë, do të bëjmë zhvendosjen e komunitetit, që më pas inxhinierët tanë të vijojnë me përfundimin e projektit dhe më në fund të kemi një Tiranë e cila i shikon si kujtime të largëta herët kur përmbytej dhe humbisnin jetë njeriu vetëm nga gabimet që kemi bërë po vetë apo kemi toleruar dhe inkurajuar”, përfundoi Veliaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat