Në Universitetin e Tetovës u shënua Dita Botërore e Librit - Bota Sot
Në Universitetin e Tetovës u shënua Dita Botërore e Librit

Tetova

E shtunë, 18 gusht 2018

Në Universitetin e Tetovës u shënua Dita Botërore e Librit

Më: 23 prill 2018 Në ora: 20:05
Tetovë

Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës, në bashkëpunim me studentët dhe profesorët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës e shënuan 23 prillin, Ditën Botërore të Librit.

Për nder të kësaj dite, fillimisht nga ana e Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe Kryetarja e Parlamentit Studentor, Donika Kamberi, u bë inaugurimi i shtëpizave të librave të shpërndara në kampusin e Universitetit. Më pas në ambientet e hapura të UT-së u bë edhe promovimi i revistës “Përtej” e përgatitur nga studentët e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të UT-së.

Të pranishmëve në këtë promovim me fjalë rasti iu drejtua Kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit tonë, Donika Kamberi, e cila tha se Parlamenti Studentor deri më tani rëndësi të veçantë u ka kushtuar të gjitha aktiviteteve e sidomos datave që shënojnë ngjarje të rëndësishme, si kjo e sotmja. “Dita Botërore e Librit na vetëdijeson për rëndësinë e librit si instrumenti më i fuqishëm që ka shërbyer për ta ndryshuar njerëzimin. Parlamenti Studentor në kalendarin e aktiviteteve shënon datat më të rëndësishme dhe rikonfirmon angazhimin ndaj qëllimeve në ngritjen e vlerave më esenciale pa të cilat jeta e njeriut do të ishte shumë e zbrazët. Sot me aktivitetet e shënuara kujtojmë me respektin më të thellë të gjithë njerëzit e penës dhe dijes që ndritën rrugën tonë” – tha Donika Kamberi, Kryetare e Parlamentit Studentor.

Shefi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Doc. Dr. Berton Sulejmani, tha se katedra që ai drejton dhe anëtarët e saj përveç shumë aktiviteteve që realizojnë, përfshirë edhe botimin e revistës “Përtej” tani më kanë marrë një iniciativë për përfshirjen e gjuhës shqipe si lëndë e obligueshme në të gjitha fakultetet e Universitetit të Tetovës, për të cilën kanë marrë edhe përkrahjen e Rektorit të UT-së Prof. Dr. Vullnet Ameti. “Numri i parë i revistës së studentëve ,,Përtej” doli në vitin 2013. Kryeredaktore ishin: Albulena Zulbehari dhe Lugina Ajro. Kjo revistë në rend të parë përfshin punimet e studentëve, por nuk mungojnë aty-këtu edhe ndonjë punim nga mësimdhënësit e katedrës. Çdo vit është botuar nga një numër. Në vitin 2015 nuk u botua, por në vitin 2016 studentët e Katedrës, nën përkujdesjen e Doc. Dr. Salajdin Salihut, botuan dy numra të revistës studentore dhe në këtë mënyrë e plotësuan zbrazëtirën e vitit 2015” – tha Doc. Dr. Berton Sulejmani.

Për numrin më të ri të revistës “Përtej”, i cili u promovua sot, foli kryeredaktorja e kësaj reviste studentore, studentja Kaltrinë Sadiki. Ajo tha se “Përtej” është një revistë studentore albanologjike; në të cilën janë të përfshira tema nga gjuha dhe letërsia, poezi, prozë e shkurtër, mendime, studime, intervista dhe shumë të tjera të cilat janë tërheqëse jo vetëm për studentët e gjuhës dhe letërsisë shqipe, por edhe për të gjithë të tjerët. “Kjo revistë mban emrin “Përtej” sepse ajo është përtej të zakonshmes, përmban art, poezi, fotografi, gjuhë… Ky numër është vijimësi e dy numrave paraprak të bërë disa vite më parë. Urojmë të jetë i mbarë e t’i sigurojë jetëgjatësi revistës. Revista është ndarë në disa rubrika që në gjirin e vet përfshijnë mjaft vlera dhe jep pasqyrën e një reviste që synon çdo ditë e më tepër të përmirësohet e përsoset, duke i ndarë hapësirë çdo studenti të gjejë veten në fushën që më së shumti i fle atij në shpirt dhe për të cilën ai më shumë dëshiron të kontribuojë; qoftë ajo aftësia për të realizuar intervista, qoftë ajo aftësia për të bërë studime të mira letrare qoftë ajo aftësia për t’i parë gjërat me një sy kritik, zgjedhja e materialeve, redaktimi ose edhe talenti i tyre për të shkruar prozë, ese ose poezi dhe mundësia që përmes kësaj reviste të shënojnë nismën e afirmimeve të tyre duke uruar të përkapin majat e suksesit” – tha kryeredaktorja Kaltrinë Sadiki.

Revista “Përtej” përfshin rubrikën e intervistave, bibliotekës ideale, pak imazhiologji në rubrikën “si na shohin të tjerët si dhe rubrikën e gjuhës “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj”. Revista përfshin edhe dromca, pjesë përkthimesh, si dhe tregime, poezi dhe studime të studentëve. Ky aktivitet u begatua edhe me një poezi nga studentja e Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, Melek Sulejmani dhe një interpretim në violinë nga studentja e Katedrës së Artit Muzikor të Fakultetit të Arteve, Zana Zumeri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test