Lëvizja Besa hap zyre të re në Tetovë

Tetova

Lëvizja Besa hap zyre të re në Tetovë

Më: 14 janar 2018 Në ora: 16:42
Lëvizja Besa

Gjatë ditës së nesërme i ashtuquajturi “krahu i Shkupit” i Lëvizjes Besa hap zyrat në Tetovë, që nënkupton se kjo parti politike do të posedojë dy seli. Njëra do të shfrytëzohet nga mbështetësit e Bilall Kasamit apo siç njihen “krahu i Tetovës” dhe tjetra nga “krahu i Shkupit”. 

Burime brenda partiake thonë se Lëvizja po shkon drejt ndarjes, por megjithatë presin përgjigjet institucionale nga ana e Regjistrit Qendror dhe Gjykatës Administrative për zgjidhje përfundimtare. Për një ndarje të tillë dhe krijimin e një partie të re ditë më parë foli edhe deputeti i Besës Nexhbedin Kahremani, i cili tha se nuk përjashtohet një opsion i tillë.

Gjatë ditës së nesërme mbështetësit e Kahremanit do të mbajnë mbledhje të Këshillit Qendror, ku edhe do të bisedojnë mbi kongresin e partisë i cili është caktuar për më 24 shkurt. Nga krahu i Shkupit nuk shpalosin nëse do të nxjerrin kandidatin e tyre për kryetar të Lëvizjes, apo cilat janë emrat më potencial, ndërkohë që hedhin poshtë zërat se nënkryetari i Besës Arben Llabënishta do të jetë kandidati për kryetar si opsioni për bashkimin apo zbutjen e raporteve në mes dy fraksioneve të krijuara brenda kësaj partie.

E vetmja kandidaturë që deri më tani është paralajmëruar për opinionin është ajo e Bilall Kasamit, i cili do të kërkojë nga organet e partisë që të drejtojë Lëvizjen për një mandat të plotë.

Në fillim të këtij muaji 64 anëtarë të Këshillit Qendror votuan për shkarkimin e Bilall Kasamit nga posti i kryetarit të partisë, duke emëruar si u.d. kryetar i Besës deputetin e kësaj partie Nexhbedin Kahremani. Derisa mbështetësit e këtij të fundit nuk e njohin Kasamin si kryetar, vetë Kasami dhe përkrahësit e tij, thonë se edhe më tej ai mbetet në krye të kësaj partie. Për vërtetimin e kësaj, 64 anëtarët e Këshillit Qendror kanë përgatitur kërkesë për te Regjistri Qendror për të ndërruar emrin e kryetarit të Besës nga Bilall Kasami në u.d kryetar Nexhbedin Kahremani.

Gjatë ditës së djeshme nga Regjistri Qendror thanë se deri tek to nuk ka mbërritur një kërkesë e tillë, ndërkaq shtuan se në rast se e njejta është dërguar gjatë fundjavës, ajo do të shqyrtohet nga e hëna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat