PPD pa kandidat në Komunën e Tetovës, arsyetohet Arben Rusi

Tetova

PPD pa kandidat në Komunën e Tetovës, arsyetohet Arben Rusi

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 15:04
PPD

Partitë politike në Maqedoni kanë dorëzuar listat e kandidatëve për kryetarë dhe këshilltarë të komunave për zgjedhjet lokale, ndërsa fushata zyrtarisht do të fillojë ditën e hënë.

Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) në Komunën e Tetovës ka dorëzuar vetëm listën për këshilltarë komual, ndërsa nuk do të garojë me kryetar. I kontaktuar Arben Rusi, i cili më herët u përfol se do të jetë kandidatë për Komunën e Tetovës nga radhët e PPD-së, ka mohuar informacionet e tilla, duke thënë se ka vendosur që të mos kandidojë.

Rusi tha se nuk ka pasur arsye personale që të mos kandidohet, ndërsa si arsye kryesore e përmendi se partitë më të mëdha shqiptare, sidomos ato në pushtet kanë mekanizma të shumta për degradimin dhe dhunimin e votës dhe zgjedhjeve. Kështu sipas tij, nuk do të jepet verdikti i vërtetë i popullit.

“Së pari i falënderoj ata që kishin besim të më kandidojnë, ndoshta në një farë mënyre i kam zhgënjyer, por i kam arsyet shumë të forta, që të besoj se nuk kam gabuar. Mendoj se në gjitha proceset zgjedhore prej 98-tës e këndej, votat kanë qenë të dhunuara në çdo aspekt, nga gjitha partitë politike. Dhe në rastin konkret partitë që kryqëzohen në pushtet kanë mekanizma dhe i dhunojnë votat, ashtu që nuk vjen në pyetje verdikti, por interesat personale të partive. Dhe në Maqedoni deri tash nuk ka pasur zgjedhje të mirëfillta, ata gjithmonë kanë qenë të keqpërdorura. Në këtë rast, edhe po të kisha kandiduar e di se do të isha degraduar personalisht, pasi e di se disa punë në qytetin e Tetovës t’i rregulloj ashtu si duhet. Nuk kam pasur interes personal që të mos kandidohem, edhepse kam pasur dëshirë të kandidohem, pasi mendoj se jam i kualifikuar për të kryer disa punë në qytet”, tha Rusi.

Edhe kryetari i PPD-së, Faton Aliti, konfirmoi se Arben Rusi nuk do të jetë kandidatë për kryetar në Tetovë. Ai shtoi se vendimin për moskandidim Rusi e ka marrë në momentet e fundit dhe kështu nuk kanë pasur kohë për të gjetur kandidat të përshtatshëm.

Aliti shtoi se me kandidat për kryetarë do të garojnë në Komunën e Bogovinës me Vebi Xhemaili, ndërsa në komunat e Likovës, Studeniçanit, Gazi Babës, Zhelinës dhe Tetovës në KSHZ kanë dorëzuar vetëm lista për këshilltarë komunal.

“Është e vërtetë se Arben Rusi nuk do të kandidojë për kryetar në Tetovë. Ai ishte i propozuar nga Partia për Prosporitet Demokratik (PPD). Këtë e ka konfirmuar në momentet e fundit para se të mbyllen listat nga KSHZ. Ashtu siç na tha Rusi, arsyet janë edhe profesionale edhe personale. Është e vështirë për ne si parti, pasi kjo gjë u konfirmua në momentet e fundit dhe nuk patëm kohë për të shqyrtuar ndonjë kandidat tjetër të përshtatshëm. Ne, kandidat kemi vetëm në komunën e Bogovinjës, profesorin Vebi Xhemaili, kurse në gjashtë komuna kemi lista për këshilltarë si, në Likovë, Studeniçan, Gazi Babë, Zhelinë dhe në Tetovë”, tha Aliti.

Ndryshe, partitë politike fushatën zgjedhore zyrtarisht do ta fillojnë të hënën, kurse zgjedhjet është planifikuar të mbahen më 15 tetor. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat