Nadal ‘bie’ ndaj Thiem, i liron fronin Federerit

Tenis

Nadal ‘bie’ ndaj Thiem, i liron fronin Federerit

Më: 11 maj 2018 Në ora: 21:50
Rafael Nadal

Rafael Nadal mundet në dy sete në fazën çerekfinale në Mastersin e Madridit nga Dominic Thiem, duke kthyer automatikisht në fronin e këtij sporti veteranin zviceran Roger Federer. Pasi theu rekordin e famshëm të tenistit legjendar amerikan John McEnroe, që në vitin 1984 siguroi 49 sete të fituar radhazi, Rafa u rrëzua keqas me tenistin austriak, duke i lëshuar numrin 1 të botës pikërisht 36-vjeçarit helvet Roger Federer.

31-vjeçari spanjoll i mbrojti me sukses 1.000 pikët në Montecarlo dhe 500 pikët në Barcelonë, por sidoqoftë “Mbreti i fushave me dhe” u mund bindshëm pikërisht nga tenisti që konsiderohet si pasardhësi i tij në “clay court”. Ekzaktësisht tre javë më parë në Principatë, tenisti iberik lëshoi vetëm dy game ndaj 24-vjeçarit nga Wiener Neustadt, por me sa duket numri 7 i botës e kishte ndarë mendjen të hakmerrej në mënyrën më të mirë të mundshme, pikërisht brenda në kryeqytetin spanjoll.

Dominic Thiem dominoi pikët më të rëndësishme dhe i rrëmbeu shërbimet Rafës në game-n e shtatë, gjithsesi tenisti austriak dështoi për të mbyllur setin hapës kur ishte vetë në servis dhe pasi i anuloi një mundësi për setin kampioni në fuqi ia doli mbanë për të barazuar shifrat në 5-5. Kontributi i Nadalit në setin e parë u mbyll pikërisht aty sepse Thiem për hir të së vërtetës mori dy game-t e tjerë, duke fituar setin hapës pa pasur nevojën e një tie break-u.

Përpara këtij takimi Rafael Nadal kryesonte 6-2 bilancin e përgjithshëm ndërmjet tyre dhe interesant është fakti që të gjitha përballjet ndërmjet tyre janë zhvilluar pikërisht në këtë lloj sipërfaqeje, sidoqoftë Dominic Thiem nuk u mjaftua thjesht me setin e parë, pasi tenisti nga Wiener Neustadt e theu në servis Rafën edhe tre herë të tjera.

Fillimisht 5 herë kampioni i këtij turneu arriti të barazojë në 3-3, por që nga ai moment Thiem ishte qartësisht tenisti më i mirë dhe numri 7 i botës fitoi edhe tre game-t e fundit të ndeshjes, duke përfunduar gjithë takimin me rezultatin 7-5, 6-3 në afërisht dy orë lojë. Kurioz është fakti që Dominic Thiem ishte edhe tenisti i fundit që ia kishte dalë mbanë për ta mposhtur Rafën në fushat me dhe, pak a shumë 12 muaj më parë në të njëjtën kohë, më saktë më 19 majin e vitit të kaluar në fazën çerekfinale në Mastersin e Romës dhe që nga ajo ditë tenisti spanjoll humbi vetëm 9 game gjithsej në 5 setet e luajtur me tenistin austriak në Roland Garros dhe Montecarlo.

Kështu Thiem i dha fund njëkohësisht edhe 21 ndeshjeve pa humbje dhe 50 seteve të fituar rresht nga Rafa në këtë lloj sipërfaqe. Me këtë disfatë në çerekfinale 31-vjeçari spanjoll lëshon pas vetëm gjashtë javësh fronin e këtij sporti, kështu që të hënën e ardhshme është e sigurt që Roger Federer 36 vjeç e 9 muaj do të shijojë numrin 1 të botës për javën e 309 në karrierë, një rekord absolut si për kohëzgjatjen ashtu edhe për moshën në të cilën sigurohet një arritje e tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat