Djokovic dështon që në debutim në Barcelonë, fiton Nadal

Tenis

Djokovic dështon që në debutim në Barcelonë, fiton Nadal

Më: 25 prill 2018 Në ora: 20:16
Rafael Nadal

Ka zgjatur shumë pak aventura e tenistit serb Novak Djokovic në turneun e Barcelonës. Ish-numri 1 në botë deklaroi se ishte në formë të shkëlqyer dhe se do të luante në këtë turne me objektivin e vetëm për ta fituar atë dhe për të mundur Rafael Nadal. Por Djokovic është mundur që në raundin e parë nga numri 140 në botë, sllovaku Martin Klizan me rezultatin 2-1 (6-2, 1-6, 6-3). Kjo ishte fitorja e parë e Klizan në 5 përballjet ndaj Djokovic, rezultat që edhe vetë tenisti sllovak nuk e besonte pas përfundimit të lojës.

Një ndeshje e dobët e Djokovic, që e nisi jo mirë takimin, duke humbur setin e parë. Edhe pse serbi rikuperon në të dytin, sërish ul ritmin në setin e tretë, duke mos treguar stabilitet në lojën e tij. Për pasojë, Klizan është më i saktë, më në formë dhe arrin ta mposhtë 2-1, duke shuar shumë shpejt ëndrrat e serbit për ta fituar këtë turne. Ky është turneu i tretë këtë vit për Djokovic që eliminohet që në takimin e parë.

Ai që nuk zhgënjen, por fiton dhe avancon më tej është Rafael Nadal, që mundi 2-0 (6-4, 6-4) patriotin e tij Roberto Carballes, në një ndeshje në përgjithësi të dominuar nga numri 1 në botë. Nadal luajti mirë, nuk dha maksimumin në fushë, ndoshat ende i lodhur pas triumfit 3 ditë më parë në Montekarlo. Eliminohet shumë shpejt nga gara në Barcelonë edhe japonezi Kei Nishikori, finalist 3 ditë më partë në Montekarlo, që u tërhoq në setin e dytë të duelit ndaj Guillermo Garcia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat