Jack Sock siguron pjesëmarrjen në turneun e 8 më të mirëve

Tenis

Jack Sock siguron pjesëmarrjen në turneun e 8 më të mirëve

Më: 7 nëntor 2017 Në ora: 07:40
Jack Sock

Triumfi i Jack Sock në Paris shënon suksesin e parë të tenistit nga Shtetet e Bashkuara në turnetë ‘Masters 1000’ dhe natyrisht një rezultat i tillë përbën padyshim edhe arritjen më të madhe në karrierë për 25-vjecarin nga Nebraska. Fitorja në kryeqytetin francez bëri të mundur që Jack Sock të ngjitet nga vendi i 24-t, ku pozicionohej në fillim të javës së kaluar, deri në vendin e 9 në renditjen sezonale.

Ky pozicion i jep tenistit amerikan mundësi për të qenë pjesë e 8 tenistëve, që javën e ardhshme në Londër, do të luajnë në turneun përmbyllës ATP World Tour Finals, duke patur parasysh faktin që Stan Wawrinka, që klasifikohet i 7-i, e ka mbyllur prej kohësh sezonin, për shkak dëmtimi.

Duke lënë mënjanë përballjen e Kupës Davis, Francë – Belgjikë, që starton më datë 20 nëntor si dhe turneun e Milanos “Next Generation Finals”, ku do të marrin pjesë vetëm tenistët e rinj, vëmendja është e gjitha për turneun e 8 tenistëve më të mirë të sezonit, që do të fillojë javën e ardhshme në kryeqytetin britanik.

Në Londër do të jenë 8 tenistë nga 8 kombësi të ndryshme, gjithsesi në radhë kronologjike kualifikimin e siguruan fillimisht Rafael Nadal dhe Roger Federer, ndërsa më pas dy tenistëve më të mirë të vitit 2017, iu bashkëngjitën njëri pas tjetrit Alexander Zverev dhe Dominic Thiem. Rafa nuk e ka fituar kurrë turneun përmbyllës të sezonit, por gjithsesi arsyet kuptohen pak a shumë, pasi finalet e 8 më të mirëve të vitit zhvillohen prej kohësh në sipërfaqe të shpejtë dhe mbi të gjitha në fusha të mbyllura, për më tepër në këtë pjesë të fundit të vitit “Mbreti i fushave me dhe” paraqitet gjithmonë tepër i lodhur.

Roger Federer është padyshim favoriti i madh, pasi 36-vjeçari zviceran kërkon trofeun e 7 në këtë aktivitet dhe siç dihet është tenisti më i suksesshëm i këtij kompeticioni. Sasha Zverev bën debutimin në ATP World Tour Finals dhe për të bërë një figurë sa më të mirë, tenisti gjerman hoqi dorë nga pjesëmarrja në turneun e Milanos, ndërkaq austriaku Dominic Thiem merr pjesë për herë të dytë në Londër.

Gjatë muajit tetor garantuan pjesëmarrjen kroati Marin Cilic dhe bullgari Grigor Dimitrov, ndërsa javën e kaluar lista e pjesëmarrësve u kompletua edhe me dy emrat e fundit. Fillimisht ishte tenisti belg David Goffin, që u kualifikua dhe në vazhdim fitoi të drejtën gjithashtu pikërisht Jack Sock, që për herë të parë në karrierë u fut në dhjetëshen e parë të botës. Në takimin e parë në Paris Bercy, tenisti amerikan i përmbysi në mënyrë të pabesueshme disavantazhin 5-1 në setin final, britanikut Kyle Edmund, duke hequr dorë kështu nga pushimet që kishte prenotuar në Augusta, për të luajtur golf bashkë me mikun e tij John Isner.

Pas tërheqjes në raundin çerekfinal nga takimi me serbin Filip Krajinoviç, doktorët e këshilluan 31-vjecarin Rafael Nadal që të hiqte dorë nga Mastersi i Parisit, gjithsesi ditën e hënë mjekët i thanë tenistit nga Majorka që gjuri nuk është përkeqësuar, çka lë të kuptohet që Rafa do të jetë pjesë e turneut të 8 tenistëve më të mirë të sezonit, përndryshe ai që përfiton është natyrisht spanjolli tjetër Pablo Carreno Busta, që konsiderohet si rezerva e parë e këtij turneu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat