Funksionimi i strukturave paralele serbe bëhet i papenguar

Lajme

Funksionimi i strukturave paralele serbe bëhet i papenguar

Nga: Diana Bunjaku Më: 3 qershor 2016 Në ora: 09:24
Skender Zogaj

Çështja e strukturave paralele është krijesë e neglizhencës së institucioneve të Kosovës të cilat në kohën e duhur ose nuk kanë ditur, ose nuk kanë dashur të veprojnë pasi ky problem tashmë do të kishte qenë i kaluar dhe i harruar.

Skender Zogaj, analist politik tha se një kthesë me angazhime të mirëfillta për shuarjen e strukturave paralele serbe ka qene në veprim në mandatin e tretë të pushtetit lokal, pra në vitin 2008, kur Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL-ja), e ka pas një plan strategjik dhe planin operativ për masat dhe veprimet konkrete që duheshin ndërmarrë për realizimin e tij.

Ai tha se brenda natës, është anashkaluar MAPL-ja nga ana e Kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, dhe çështjen e Veriut të Kosovës ia pat besuar Ylber Hysës, që ishte autorizuar për t'u marrë me integrimin e serbëve.
“Ky ka qenë një gabim i madh dhe fatal, sepse, MAPL-ja me ministrin Sadri Ferati, që ishte mirë involvuar në problemet dhe që ishte njohës i mirë i rrethanave në Veriun e Kosovës, u penguan në fazën kur po konkretizoheshin një varg marrëveshjeve të mirëkuptimit, me të cilat po integroheshin kuadro të zgjedhura serbe që ishin deklaruar të gatshme për bashkëpunimin sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, kjo ishte një garanci solide e integrimit spontan të serbëve, por fatkeqësisht ajo nuk ndodhi.
“Që atëherë e sot, funksionimi i strukturave paralele serbe bëhet i papenguar, sepse nuk ka asnjë mekanizëm konkret për pengimin e tyre. Kjo ndodh sepse Serbisë i duhet instrumentalizimi i serbëve të Kosovës dhe përfitimet e mundshme ndërkombëtare”, tha Zogaj.

Ai tha se kjo situatë u ka konvenuar edhe strukturave mafioze shqiptare, rrjetit të krimit të organizuar për përfitime materiale.

“Siç e dimë të gjithë, Serbia është partneri kryesor ekonomik, që në Kosovë hyn sa legalisht, edhe më shumë ilegalisht, nëpërmjet strukturave paralele të cilave u konvenon mospërfillja e ligjeve të Kosovës në atë pjesë të territorit”, tha Zogaj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat