Krasniqi, krerëve të institucioneve: Kështu nuk mbahet shteti

Lajme

Krasniqi, krerëve të institucioneve: Kështu nuk mbahet shteti

Më: 1 qershor 2016 Në ora: 21:18
Jakup Krasniqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka kritikuar krerët e institucioneve kryesore të vendit, nëpërmjet një shkrimi të publikuar në Facebook.

"Krerët e institucioneve tona shtetërore, nuk i njohin përgjegjësitë e tyre Kushtetuese. Nuk i njohin ligjet në fuqi, mbase dhe nuk dëshirojnë që t’i dinë ato", ka shkruar Krasniqi në faqen e tij në rrjetin social.

Në shkrimin e tij, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë se dyshon që shteti mund të mbahet me kulturën institucionale që është instaluar në Kosovë.

Ky është shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

"KESHTU NUK BËHET E AS MBAHET SHTETI!

 “Shtetet bëhen me luftë”, por e gjithë çështja është, si mbahen e zhvillohen shtetet. Bazamenti i shtetit është Kushtetuta, nga e cila burojnë ligjet. Ligjet duhet të jenë të standardeve ndërkombëtare, pa të cilat nuk ka shtet të së drejtës. Aty ku nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka liri, demokraci e zhvillim ekonomik. Vetëm aty ku ka sundim të ligjit (të standardeve), ka zhvillim, progres e jetë të dinjitetshëm për qytetarët.

Për t’i thënë të gjitha këto më shtyri deklarimi i Kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli i cili ju paska thënë punëtorëve të Fabrikës së Tubave të Ferizajt siç raportojnë mediat se: “Veseli u premton punëtorëve të Fabrikës së Tubave se do t’ua zgjidh problemet”. Me ligjet në fuqi për privatizimin e Pronave (Ndërmarrjeve) Shoqërore e Publike, punëtorëve nga shitja u takojnë 20% të shumës se shitjes. Punëtorët të cilëve ju premton Veseli kërkojnë më shumë. Atëherë shtrohet pyetja: Si kryetari i Kuvendit të Kosovës mund t’ua zgjidhë çështjen më shumë se të ndërlikuar? Ku do ta mbështet ai një zgjidhje tjetër, veç asaj që e parasheh ligji?

Nëse Kryetari thirret në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai është antikushtetues, pasi nuk ka pasur parasysh asnjë ligj që rregullon lëndën e privatizimit?!

Pyetja shtrohet çka tregojnë këto dy raste dhe shumë raste të tjera të qeveritarëve të djeshëm e të sotshëm?

Tregojnë se krerët e institucioneve tona shtetërore, nuk i njohin përgjegjësit e tyre Kushtetuese. Nuk i njohin ligjet në fuqi, mbase dhe nuk dëshirojnë që t’i dinë ato. Çështja është, me ketë kulturë institucionale që është instaluar në Kosovë, a mund të mbahet shteti, a mund të zhvillohet e ligjësohet ai? Unë dyshoj dhe dyshoj shumë! Me këto veprime të krerëve të institucioneve kryesore të shtetit, përfshirë edhe punën kriminale të Komisionit qeveritar për veteranet, shteti nuk mbahet, përkundrazi, shteti shkon drejt falimentimit.

Atëherë kush duhet të shpëtoj shtetin nga falimentimi, nëse jo krerët e institucioneve më të lartë të shtetit?!"

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat