Do të jetojmë përgjithmonë dhe do bëhemi cyborg-ë

Teknologji

Do të jetojmë përgjithmonë dhe do bëhemi cyborg-ë

Më: 30 prill 2016 Në ora: 22:10

Do të na duhet të bashkëjetojmë me robotë dhe droidë, të cilët do të kenë një inteligjencë më të madhe se ajo e njeriut. Ndërsa ata do të punojnë për ne, njerëzimi i ri do të shpenzojë kohë duke eksploruar potencialin e panjohur të mendjes. Burrat do të bëhen Cyborg, me kapacitetin e zgjeruar falë teknologjisë. Ne mund të jetojmë pafundësisht, duke e transferuar trurin tonë (përfshirë unin tonë ekzistues) në organe të tjera, dhe eksploruar hapësirën ekstreme përmes shpejtimit të materies gri me shpejtësinë e dritës, sikur të qe e përbërë nga grimca që udhëtojnë në ajër.


Kjo është e ardhmja që na pret gjatë 50 viteve të ardhshme, sipas Dejvid Orban, themelues i shumë kompanivë të suksesshme hi-tech, por sidomos vizionar dhe profesor i Singularity Univertsity, fabrikë e gjeneve dhe start-up të financuar nga Google dhe themeluar në vitin 2008 nga shkencëtari Rej Kurzveil dhe sipërmarrësi Piter Diamandis, në zemër të Silicon Valley në Kaliforni.


Orban nuk është një shkrimtar i fantashkencës, por një menaxher konkret dhe një futurist me famë botërore, një njeri që e kalon një të tretën e jetës duhe udhëtuar në avion, për të marrë pjesë në konferencat më të rëndësishme teknologjike. Orban, siç e quan veten, është “një ambasador i së nesërmes që jeton në të tashmen”. Panorama e intervistoi atë gjatë një ndalese të shkurtër në Milano në kuadër të seminarit Iab, një ngjarje kushtuar komunikimit dixhital. Titulli i fjalimit të tij? E ardhmja është 10 vjet më herët.


Kur ju flisni me Orban, duket sikur keni përballë kapitenin Kirk në serialin televiziv ‘Star Trek’, pak para se anija kozmike Enterprise të fillojë fazën e teletransportit drejt botëve të reja. Një ndjesi që e provon menjëherë. Në fakt, sapo i shtërngon dorën, ai të fton të shtypësh mbi një pike në dorën e tij, ndërmjet mes të gishtit të madh dhe atij tregues, ku gjendet i ndërfutur një çip. “Unë jam një cyborg”- tha ai për Panorama. “Bart me vete të gjithë çelësat e dobishme të dekriptimit për të paguar në Bitcoins, monedhën dixhitale në internet. Me çipin në përdorim, unë mund të bëj shumë gjëra të tjera, dhe jo vetëm të transferoj para. Si për shembull të marr një makinë me qera, të kem qasje në metro dhe hap dyert e zyrës.


Në të ardhmen ai mund të komunikojë informacione me një person tjetër që zotëron të njëjtin çip, me të njëjtin shpejtësi dhe thjeshtësi me të cilën një kompjuter dërgon sot një e-mail duke përdorur rrjetin ËiFi. Ai ndërkaq mund të masë parametrat e mi jetësorë, të kërkojë dhe Google dhe furnizojë me përgjigje të drejtpërdrejta trurin tim”.


Por Orban ka qenë njeriu i parë që i është nënshtruar kësaj lloj ndërhyrjeje (edhe qeni i tij ka të njëjtin çip), kryesisht për të testuar pranimin nga shoqëria. “Me këtë pajisje kërkoj të dialogoj me ata që mendojnë se s’duhet të lejohet të bëhemi qenie njerëzore, të fuqizuara përmes teknologjisë”.


Po, sepse ankesa kryesore e Orban është se në të ardhmen mund të shfaqet racizmi teknologjik, çka mund të çojë tek luftërat për supremaci. “Ne duhet të mësohemi të jetojmë me një specie të re, atë të njerëzve të pajisur me inteligjencë artificiale superiore me tonën. A do të arrijmë t’i pranojmë ata? Apo do hyjmë në konflikt? Pyetjet që duhet të shtrojmë, kërkojnë shpejt një përgjigje”- thotë ai për Panorama.


Në fakt, sipas Orban “100 vitet e fundit kanë sjellë më shumë përparim teknologjik, sesa kanë prodhuar 1 mijë vitet që i paraprinë”. Nëse kapaciteti i llogaritjes së kompjuterave do të vazhdojë të zhvillohet me të njëjtën shpejtësi, deri në vitin 2025 do të ketë kompjutera më të fuqishëm se sa truri i njeriut. Dhe nga viti 2045, pas kësaj rritje eksponenciale, njeriu do të ketë ndërtuar makina që mendojnë me një kapacitet prej të barabartë me 10 miliardë trush njerëzorë.


Por në këtë rast, kjo nuk do të jetë vetëm meritë e njeriut. Pasi inteligjenca artificiale “është në gjendje të zhvillohet dhe vetëpërmirësohet shumë më shpejt se sa ajo e njerëzve”. Sipas vizionit të Orban veçantia (domëthënë momenti në të cilin përparimi teknologjik do të përshpejtohet përtej kapacitetit të të kuptuarit të atyre, që jetojnë në një epokë të mëhershme), është gati të mbërrijë dhe do të ndodhë gjatë gjysmës së parë të këtij shekulli.


Në praktikë është përshpejtimi bashkëkohor i 4 teknologjive të rëndësishme:gjenetikës, nanoteknologjisë, robotikës dhe mbi të gjitha inteligjencës artificiale. Një bum teknologjik që do të na detyrojnë të rishkruajmë parabolën e njeriut, e cila do të ndryshojë nga “lind, puno, vdes” dhe vizionin e Orban, në “lind, nuk do të punosh më, dhe do të jetosh përgjithmonë”.


Po, sepse sipas Orban, specia produktive do të përbëhet nga makinat, që do të shkojnë në zyra ose fabrika në vendin tonë. Ndërsa përmbajtja e trurit tonë (duke përfshirë personalitetin) do t’i mbijetojë degradimit të trupi të njeriut. “Ne mund të transferojmë unin tonë brenda një memorie, ashtu si sot kur kopjojmë një dokument në një USB”- vijon Orban “dhe ne mund të vazhdojmë të jetojmë në brendësi të një trup të ri bionik”.


“Kujtimet, njohuritë tona do të shndërrohet në bajt që mund të dërgohen në eter, pa patur nevojë për të udhëtuar me makinë, avion apo tren. Ne madje mund të arrijmë të fshijmë përvojat e këqija, dhe ruajmë vetëm kujtimet e mira. Nuk do të vdesim fizikisht, për të jetuar një jetë paralele. Paksa si në stilin e Avatarit, me të njëjtën lehtësi me të cilën shkojmë të flemë gjumë, do të mbyllim sytë në Milano dhe zgjohemi (në një trup tjetër) në Nju Jork. Ose, pse jo, në një planet tjetër”.


Në këtë pikë, vetë koncepti i njerëzimit do të ridiskutohet. Edhe fetë do të kenë shumë punë për të kuptuar dhe pranuar këtë hap të ri evolucionar, duke patur parasysh se vetë njeriu mund të vendosë nëse do të ketë qasje në jetën e përjetshme apo jo. “Bota do të popullohet nga robotë më inteligjentë se njeriu, si dhe nga cyborg njerëzore me trurin e njeriut”. Mund të na magjepse apo frikësojë, por kjo është e ardhmja që po vjen. “Përshpejtimi eksponencial ka filluar. Dhe nuk mund të ndalet”. /Panorama.it

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat