Huawei Watch: Padyshim ora inteligjente më e mirë me platformën Android Wear

Teknologji

Huawei Watch: Padyshim ora inteligjente më e mirë me platformën Android Wear

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 07:35

Kush do e besonte se një prodhues kinez telefonësh inteligjent do të ndërtonte orë inteligjente më të mirë me platformën Android Wear?

Huawei, kompani e cila në bashkëpunim me Google ndërtoi Nexus 6P, prezantoi orën inteligjente të parë me Android Wear në muajin Mars dhe iu deshën plot gjashtë muaj që të dilte në shitje. Është një ndër orët inteligjente më të kushtueshme si dhe konkurrenti kryesor i Apple Watch.

Dizajn mahnitës

Ora e dizenjuar nga Huawei të kujton preferencat e meshkujve klasikë të viteve 80’. Ka një kasë prej çeliku, ekran të rrumbullakët dhe buton i cili qëndron ngjitur me numrin 2.

LG Watch Urbane dhe Motorola Moto 360 kanë një dizajn të ngjashëm me Huawei Watch ndërsa ky i fundit është shumë më i hollë. Ekrani me diametër 42 mm është në formë rrethore. Përmban ekranin me rezolucionin më të lartë vendosur ndonjëherë në një orë Android Wear. Ka një densitet prej 286 piksel për çdo inç duke rezultuar si një ndër ekranet më të qartë se çdo orë tjetër inteligjente.

Ky ekran mbrohet nga një xham safire, material i përdorur gjerësisht në orët tradicionale dhe në Apple Watch. Safira është xham tejet rezistent ndaj gërvishtjeve me një performancë që tejkalon edhe xhamat Gorilla Glass.

Modeli bazë i Huawei Watch ka një rrip të zi prej lëkure duke i dhënë një pamje klasike karakterizuar edhe nga një rehati ekselente.

Specifikat e harduerit

Proçesori: Qualcomm Snapdragon 400

RAM: 512 MB

Ekrani: 1.4 inç AMOLED (286ppi)

Memorja e brendshme: 4GB

Konektiviteti: Bluetooth, Wi-Fi, sensor kardiak

Dimensionet: 42 mm x 11.3 mm

Përshtatshmëria: Android dhe iOS

Dy ditë jetëgjatësi baterie

Huawei Watch ofron një performancë të kënaqshme falë Qualcomm Snapdragon 400. Animacionet janë fluide, ora u përgjigjet shpejt komandave dhe lidhja me telefonin përmes Bluetooth është stabile.

Në momentin kur ora inteligjente shkëput lidhjen me telefonin, automatikisht sinkronizon Wi-Fi në kërkim të një lidhje interneti. Tranzicioni nga Bluetooth në Wi-Fi pothuaj nuk vihet re fare.

Huawei Watch reziston për pothuajse dy ditë të plota funksionalitet. Ekrani AMOLED konsumon më shumë energji sesa modelet të tjera ekranesh. Bazuar në testimet e kryera bateria nuk arrin orën 21:00 të ditës së dytë. Ngarkimi i baterisë kryhet përmes një doku magnetik.

Android Wear

Huawei Watch bart versionin më të fundit të sistemit operativ të Google, Android Wear. Në momentin që lidhet me telefonët Android, ora inteligjente shfaq njoftime në formën e kartave, funksionon me aplikacionet dhe lojërat Android Wear dhe ofron funksionalitete parësore si alarmin dhe kronometrin.

Aplikacione për gjurmimin e gjëndjes shëndetësore

Përveç aplikacioneve standarte të Android Wear, Huawei ka përfshirë edhe tre aplikacione shtesë fitnesi.

Aplikacioni i parë quhet Daily Tracking. Gjurmon hapat, vrapimin, ngjitjen e lartësive dhe konsumin e kalorive. Aplikacioni është atraktiv dhe shfrytëzon disa funksionalitete të Google Fit.

Huawei Fitness Tracking është ndërtuar për gjurmimin të ushtrimeve fizike. Mjafton të klikoni butonin “Start”, të vendosni një objektiv të konsumit të kalorive dhe vijoni me ushtrimet.

I fundit është aplikacioni Heart Rate. Objektivat e këtij aplikacioni janë të paqarta duke qenë se përdoruesit mund të shfrytëzojnë aplikacionin standart. Përkundër aplikacioneve të rivalëve si Moto 360, ky i fundit nuk kryen matje periodike.

Çmimi

Huawei Watch është një ndër orët inteligjente Android Wear më të kushtueshme. Me kosto që fillon nga 379 Euro, rezulton 100 Euro më i shtrenjtë se Motorola Moto 360. Gjithësesi në këtë aspekt nuk ja kalon askush Apple, sepse ora inteligjente e kompanisë kushton 399 Euro dhe funksionon vetëm me iPhone madje.

Verdikti

Huawei Watch është ora inteligjente Android Wear më e mirë në treg. Në dizajn është po aq e mirë sa një orë tradicionale duke ofruar njëkohësisht akses në informacion dhe njoftime të vazhdueshme në krahun tuaj.

Ekrani prej safire dhe rezolucioni të lartë që ofron është padyshim më i miri aktualisht. Bateria zgjat dy ditë madje edhe me ekranin ndezur. Ora inteligjente është rezistente ndaj ujit.

Avantazhet: Ekran safire, performancë fluide, i rehatshëm, rezistent ndaj ujit, rrip standart, dy ditë bateri

Disavantazhet: Harduer i vjetër, më i kushtueshëm krahasuar me konkurrencën (PCWorld Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat