Envy Note 8 është tableti më i ri i HP me ekran 8 inç dhe sistem operativ Windows 10

Teknologji

Envy Note 8 është tableti më i ri i HP me ekran 8 inç dhe sistem operativ Windows 10

Më: 8 tetor 2015 Në ora: 07:03

Pas evenimentit të suksesshëm të Microsoft ditën e djeshme, është radha e HP për të debutuar në treg me disa pajisje të reja. Përkrah dhe produkteve të tjera me sistem operativ Windows, HP ka prezantuar tabletin 8 inç të quajtur Envy Note 8.

Bëhet fjalë për një tablet të nivelit të ulët me ekran me rezolucion 1920×1200 dhe të pajisur me proçesorin Atom X5 të Intel. Avantazhi kryesor i kësaj pajisje është sistemi operativ Windows 10.

Interesantja në këtë tablet qëndron në faktin se asaj mund ti bashkangjitet një tastjerë e cila ka përmasa më të mëdha se vet tableti, afërsisht 10 inç diagonalisht. HP e ka quajtur këtë tastjerë Envy Note Keyboard Folio. Në pjesën anësore të saj është vendosur një mbajtëse ku përdoruesit mund të vënë stilolapsin dixhital me të cilin tableti vjen i pajisur. Por funksioni i tastjerës shkon përtej kësaj. Ajo mund të shërbejë për mbajtjen e tabletit vertikalisht apo horizontalisht pa qënë nevoja e përdorimit të duarve dhe sigurisht për transportimin e tij duke qënë se tableti bëhet njësh me tastjerën ashtu si fletët e një libri.

Përsa i përket specifikavetë tjera, Envy Note 8 ofron mbështetje për rrjetin LTE, mund ti bashkangjitet një kartë microSD, ka portë USB Type-C, kamera frontale 2 megapiksel dhe kryesore 5 megapiksel. Kompania premton se kohëzgjatja e baterisë do të jetë deri në 6 orë. Ju mund të zgjidhni të blini vetëm tabletin apo setin e plotë së bashku me tastjerën. Envy Note 8 i shoqëruar nga stilolapsi dixhital do t’ju kushtojë 329 dollar ndërsa seti i plotë 429 dollar. (PC World Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat