Microsoft prezantoi vrasësin e MacBook Air: Surface Pro 4 me ekran 12.3 inç dhe proçesor Intel Skylake

Teknologji

Microsoft prezantoi vrasësin e MacBook Air: Surface Pro 4 me ekran 12.3 inç dhe proçesor Intel Skylake

Më: 7 tetor 2015 Në ora: 15:14

Kishte ardhur koha që Microsoft të përditësonte linjën e tabletëve dhe me sa duket zgjodhi momentin e duhur për ta bërë këtë.

Gjatë evenimentit të ditës që lamë pas, Microsoft krahas laptopit Surface Book dhe telefonëve Lumia 950, 950 XL dhe 550 ka prezantuar edhe tabletin e ri Surface Pro 4 i cili është më i lehtë, më i hollë dhe sigurisht më i fuqishëm se paraardhësit e tij. Ky tablet vjen me proçesorë e fundit Skylake dhe Windows 10-tën në bord.

Panos Panay u ngjit në skenë për të na kujtuar se si ka ndryshuar linja Surface ndër vite dhe se çfarë sjell të re gjenerata e katërt e këtij hibridi. Ai fillimisht zbuloi dy risitë e para: Surface Pro 4 ka një ekran 12.3inç dhe ka të vendosur në tastjerën portative një sensor që njeh shenjat e gishtërinjve. Pavarësisht tastjerës shoqëruese gjatë prezantimit, Pro 4 mund përdoret dhe me tastjerat ekzistuese që mbajnë logon e Microsoft.

Sigurisht që nuk mund të mungonte një aksesor tjetër kryesor, një stilolaps i ri dixhital i cili ka të vendosur një gomë fshirese në anën tjetër të tij. Ky stilolaps është i aftë të njohë 1024 nivele presioni dhe bashkëngjitet me anë të një magneti në pjesën anësore të tabletit. Surface Pen vjen në një larmi versione ngjyrash dhe mund të integrohet drejtpërdrejt me Cortanën. Përdoruesi mund të aktivizojë asistentin virtual Cortana duke mbajtur shtypur butonin e stilolapsit dixhital.

Sipas Microsoft në këtë pajisje janë kombinuar elementët më të fuqishëm për të sjellë një tablet të nivelit të lartë i cili vështirë se do të ketë konkurentë në treg. Disa nga specifikat e tjera të larta përfshijnë xhamin Gorilla Glass 4 i cili formon një ekran me prekje tepër të ndjeshëm, çipin optik G5, gjenerata e gjashtë e proçesorëve të Intel Skylake, dhe hapësirë memorie deri në 1 TB.

Krahasuar me Mac Book Air të Apple, Pro 4 pritet të jetë 50 % më i shpejtë. Për më tepër ai mund të jetë alternativ perfekte për të zëvëndësuar dhe një laptop. Ky tablet është tanimë i disponueshëm për porositje kundrejt një çmimi 899 dollar. Ai do të mbërrijë në raftet e pikave të shitjeve në 26 tetor. (PC World Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat