Ndoshta përdoruesit e rrjetit social Instagram janë bezdisur nga zvogëlimi i madhësisë së fotove të tyre në momentin që duan të postojnë një foto të re në profilin e tyre. Kjo për shkak se Instagram deri dje lejonte vetëm publikimin e fotove me përmasa katrore. Shpeshherë prerja e fotove i humb bukurinë një panorame apo një foto portreti. Ndaj dhe Instagram ka vendosur të ndryshojë këtë gjë.
Instagram ka përditësuar aplikacionin e saj iOS dhe Android në mënyrë që të publikohen fotot dhe video në madhësi të plotë, pra në përmasat e tyre reale pa qënë nevoja e reduktimit të madhësisë së tyre. Megjithëatë për ata përdorues që preferojnë fotot katrore dhe ky opsion do të vazhdojë të jetë i disponueshëm. Në momentin që ju aksesoni galerinë e fotove nga aplikacioni, në fund të ekranit do t’ju shfaqet një buton me anë të të cilit mund të zgjidhni të bëni zmadhoni foton apo ta hidhni atë me përmasat reale.
Në fillimet e tij Instagram përdori fotot katrore si një mënyrë për të diferencuar këtë shërbim nga aplikacionet e tjera të shpërndarjes së fotove. Por fotot katrore ishin dhe një zgjedhje praktike. Duhet të pranojmë se ato mund të shihen më qartë në ekranin e vogël të një smartfoni. Duke qënë se përmasat e ekraneve kanë ndryshuar dhe tendenca po shkon drejt ekraneve më të mëdhenj atëherë kishte ardhur koha që të ndryshonte dhe formati i fotove që mund të shpërndahen në Instagram. Sipas kërkimeve të vet Instagram 20% e fotove të ngarkuara janë modifikuar për tu përshtatur me përmasat katrore dhe kjo ka ndodhur duke përdorur aplikacione të palës së tretë. (PCWorld Albanian)