Interneti, ky mashtrues i madh

Teknologji

Interneti, ky mashtrues i madh

Më: 3 gusht 2015 Në ora: 15:05

Kur përdorim internetin, nuk dallojmë dot mes atyre që dimë dhe atyre që nuk dimë. Eksperimentet kanë gjetur se kërkimi i informacioneve në internet e “gënjen” trurin: ne mund të ekzagjerojmë pa vetëdije punën intelektuale në jetën reale.

“Siç e dimë, ka të vërteta që i dimë: gjërat që e dimë se i dimë. Po ashtu, dimë se ka të panjohura që i dimë: ato që i dimë se nuk i dimë. Por, ka edhe të panjohura që nuk i njohim: ato që nuk e dimë se nuk i dimë”

- Njerëzit kanë kërkuar gjithmonë mënyra për të rritur kapacitetin e trurit, shpesh duke u bazuar në burime të tjera dijesh. Para internetit, vareshim te njëri-tjetri dhe ndanim informacionet për të njohur më mirë botën. E përditësonim bankën e dijes me ndërveprime ballë për ballë dhe teksa evolonim, ushqenim bankën e kujtesës me mjete si librat. Kur përdorim të tjerët si burim informacioni, madje edhe kur bazohemi te burimet jonjerëzore (librat), nuk ndihemi të turbullt për të dalluar atë që dimë nga ajo që na ofron burimi: e dimë se jemi të kufizuar në dijet tona. Mirëpo, kërime të reja zbulojnë se kur e përdorimi internetin, nuk jemi më të vetëdijshëm për ta bërë këtë dallim. Në një seri prej 9 eksperimentesh me mbi 1000 pjesëmarrës, kërkuesit e universitetit “Jeil”, gjetën se kërkimi në internet krijon një iluzion dijesh, sipas të cilit, e ngatërrojmë informacionin që gjejmë online me dijet e vërteta në kokën tonë.

Pjesëmarrësve iu kërkua të kërkonin në internet përgjigjet për pyetje të thjeshta që fillonin me “pse” dhe “si”. Pyetjet, si “Si funksionon një zinxhir”, ishin të thjeshta për shumicën e njerëzve, të cilëve iu kërkua të bënin një kërkim në “Google” për të konfirmuar detajet e përgjigjeve. Pjesëmarrësit që kërkuan për një shpjegim e vlerësuan veten më vonë si më superiorë në aftësinë për të dhënë shpjegime ndaj pyetjeve të ndryshme, të palidhura me to, krahasuar me grupin e kontrollit, i cili nuk e përdori internetin. Po ashtu, ata që e përdorën internetin për t’iu përgjigjur pyetjeve origjinale në listë, kishin pritshmëri se do të përgjigjeshin më mirë ndaj pyetjeve të listës së dytë, ato që s’kishin lidhje me të parat. Rezultoi se vetëm përdorimi i internetit nuk e justifikon besimin e tepruar te dijet vetjake. Përveç tij, iluzioni i dijeve u nxit edhe nga akti i kërkimit në internet, pavarësisht llojit të shfletuesit të përdorur apo përgjigjeve të gjetura. Dukej se vetë akti i kërkimit të informacioneve në internet e “gënjente” trurin, duke krijuar besimin se ne kemi më tepër përgjigje sesa në të vërtetë.

Rezultatet e këtyre eksperimenteve sugjerojnë se zakoni për të mbivlerësuar dijet, për shkak të teknologjisë, vjen nga masa me të cilën bazohemi te informacionet e jashtme. Ndërsa teknologjia i bën edhe më të arritshme e të mundshme këto informacione, kërkuesit parashikojnë se aftësia për të vlerësuar dijet vetjake do të bëhet edhe më e vështirë. Duke bërë gabimin e supozimit se po marrim informacione të jashtme, duke i futur në kokën tonë, mund të ekzagjerojmë pa vetëdije punën intelektuale që mund të bëjmë në situata të jetës reale. Një student mund të kuptojë sa pak di kur ndodhet në sallën e provimit! Ajo që ngjan me një ndryshim të pandërgjegjshëm të varësisë nga teknologjia për marrjen e informacionit, mund të ketë efekte të thella në kuptimin që i japim jetës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat