Rusia kërcënon Google, Facebook dhe Twitter

Teknologji

Rusia kërcënon Google, Facebook dhe Twitter

Më: 27 maj 2015 Në ora: 20:01

Roskomnadzor, një agjenci qeveritare ruse që vëzhgon komunikimin dhe median, ka kërcënuar se do të bllokojë aksesin në Google, Facebook dhe Twitter, nëse shërbimi i këtyre mediave sociale nuk dorëzon të dhëna për disa blogera rusë.

Agjencia qeveritare u ka kërkuar gjigantëve Google, Facebook dhe Twitter të dorëzojnë të dhëna për disa blogera në veçanti, që kanë një numër prej 3 mijë lexuesish apo më shumë.

Agjencia "Rozkomnadzor", sikurse raporton Reuters, u ka kërkuar gjithashtu shërbimeve të fshijnë përmbajtjet që promovojnë protesta apo ngjarje të tjera të palejueshme.

Vitin e kaluar, Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se interneti nuk do të kontrollohet nga qeveria. Por veprimet e fundit të "Roskomnadzor" tregojnë të kundërtën. Një ligj i miratuar në vitin 2014 u jep prokurorëve rusë të drejtën të bllokojnë faqe interneti pa gjyq, nëse këto faqe përmbajnë informacione për protesta të palejuara nga qeveria.

Nuk dihet ende nëse Google, Facebook dhe Twitter do të pranojnë kërkesën e "Roskomnadzor", por raportet e transparencës së kompanive tregojnë se Facebook dhe Twitter kanë refuzuar të gjitha kërkesat nga qeveria ruse për informacione mbi përdoruesit e tyre gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar. Ndërsa Google ka plotësuar 5% të 134 kërkesave të qeverisë ruse, gjatë të njëjtës periudhë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat