Helmeta inteligjente me sistem navigimi

Teknologji

Helmeta inteligjente me sistem navigimi

Më: 24 maj 2015 Në ora: 21:57

Në qytetet me shumë trafik është më e lehtë të lëvizësh me motoçikletë se sa me makinë. Por motoçiklistët të cilët nuk janë të sigurt se cilën rrugë duhet të ndjekin shpesh duhet të ndalojnë për të parë hartën ose sistemin e navigimit, GPS. Një kompani e re ruse është duke punuar për ta bërë më të lehtë navigimin për motoçiklistët. Dizenjatorët në kompaninë LiveMap me qendër në Moskë janë duke krijuar një helmetë inteligjente me një sistem navigimi që mund të komandohet me anë të zërit.

Lëvizja në zona me shumë trafik mund të verë në provë durimin e çiklistëve më të mirë, veçanërisht në qoftë se ata duhet të ndalen në anë të rrugës për të parë hartën apo sistemin e navigimit, GPS.

ANDREI ARTISHCHEV, LIVEMAP
"Sa i përket sigurisë, do të ishte më mirë të përdorej helmeta në mënyrë që motoçiklistët të mos kenë nevojë të ndalojnë në anë të rrugës për të shtypur adresën e re në telefonat e tyre celularë, por ta bëjnë atë me anë të zërit, për shembull, vetëm duke thënë "Madison Avenue", dhe kompjuteri përgjigjet "Rruga e re është gati".

Disa pajisje të tilla që e bëjnë më të lehtë navigimin tashmë ekzistojnë. Por LiveMap po krijon një helmetë inteligjente të pajisur me një sistem navigimi me zë.

Prototipi është i pajisur me një ekran të tejdukshëm me ngjyra të vendosur në xhamin ballor të helmetës. Helmeta është e pajisur me një sensor drite që rregullon ndriçueshmërinë e imazhit dhe pajisjet për të ndjekur lëvizjet e kokës. Shefi ekzekutiv i kompanisë LiveMap, Andrei Artishchev thotë se ai mori frymëzimin për të krijuar këtë produkt shtatë vjet më parë, kur ai pa një helmetë piloti të pajisur me sistem navigimi. Ai vendosi të krijonte një helmetë të ngjashme, por me një çmim më të ulët.

ANDREI ARTISHCHEV, LIVEMAP
"Një helmetë aviacioni kushton mes 10,000 deri 15,000 dollarë për shkak se nuk është produkt i tregut masiv. Unë dua ta shes helmetën 2,000 dollarë".
Zoti Artishchev është konsultuar me disa specialistë para se ta fillonte këtë projekt. Ai përdori xhamin e Androidit dhe teknologjinë e kompanisë Google për t’i bërë më të përshtatshme pajisjet e helmetës.

ANDREI ARTISHCHEV, LIVEMAP
"Ndoshta për pilotët ushtarakë është e mjaftueshme që të kenë gjithçka në ngjyrë të gjelbër. Por kur fillova të punoj për këtë projekt mendova se do të ishte e vështirë t’u shpjegohet konsumatorëve të cilët përdorin telefona celularë me ngjyra se pse helmeta ime kushton 2000 dollarë dhe ka vetëm ngjyrën jeshile, ndërkohë që telefonat celularë kanë 16 milion ngjyra".

Një prototip i një helmete me sistem navigimi, e quajtur Skully, tashmë është prezantuar nga një kompani amerikane. Një ekspert rus thotë se nuk është e njëjta gjë.

ANATOLI SUKHOV, MOTO MAGAZINE RUSSIA
"Ka një ndryshim në parametrat e tyre. Helmeta amerikane është shumë më e rëndë. Pesha e saj është pothuajse dy kilogram, ndërsa helmeta ruse peshon 1,4 kilogramë. Pra, një dallim shumë i madh. Çdo gjë që peshon më shumë se 1,5 kilogramë nuk mund të quhet helmetë".

Sipërmarrësi rus shpreson ta nxjerrë në treg helmetën e tij inteligjente brenda një apo dy viteve të ardhshme. Ajo do të kushtojë 2000 dollarë por ata që do ta porosisin para se të dal në treg mund ta blejnë atë për 1,500 dollarë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat