Teknologjia e simulimit

Teknologji

Teknologjia e simulimit

Më: 6 maj 2015 Në ora: 22:24

Ndërkohë që po përmirësohen kompjuterët, sensorët dhe ekranet elektronike, shkencëtarët po zhvillojnë lloje të ndryshme paisjesh që na çojnë në një botë virtuale. Nëse dëshironi të luani muzikë pa patur instrumenta, apo të fluturoni si një zog pa e lënë tokën, mundësitë janë të pafundme.

E ashtuquajtura teknologji që gjurmon lëvizjen, e përdorur gjerësisht në lojërat elektronike, i transmeton lëvizjet e trupit në një ekran. Me pak përqëndrim, lojtari fillon të ndjejë se është zhvendosur në një realitet tjetër.

Dy shkencëtarë në Britani e shfrytëzuan këtë fenomen për të shpikur një palë tambure virtuale, të quajtura Aerodrums.

Një kamera e shpejtësisë së lartë ndjek lëvizjet e shkopave dhe të këpucëve, dhe sistemi i shndërron në tinguj realistë.

Richard Lee thotë se mundet të dallojë madje nivelet e ndryshme të përplasjes së shkopinjve.

“Reagon shumë mirë. U desh ca kohë të arrihej ritmi i duhur që të krijojë iluzionin e duhur. Nëse ndodh ndonjë vonesë, atëherë nuk ndjehet reale.”

Bashkëpunëtori Yann Morvan thotë se shpikja nuk synonte të krijonte një videolojë, por një mjet të heshtur praktike për tu ushtruar.

“Donim të ishte një instrument i saktë muzikor që do ta bënte të pranueshme praktikën nëpërmjet Aerodrums.”

Ndërkohë, shkencëtarët në Zvicër thonë se ëndrra e lashtë e njeriut për të fluturuar si zogjtë, është bërë më në fund realitet.

Nëpërmjet paisjes simuluese të quajtur “Birdly”, dhe me një palë syze në kokë dhe një ventilator që prodhon rryma ajri, personi përjeton një ndjesi të fortë të të fluturuarit me krahë.

Fabian Troxler, anëtar i projektit, thotë se fluturimi kontrollohet nga lëvizja e krahëve.

“Gjymtyrët e mia janë tashmë krahë fluturimi, kështu që unë e kontrolloj tashmë të gjithë platformën nëpërmjet krahëve. Zhvendoset e gjitha poshtë, nëse unë dua, dhe ngrihet ose rrotullohet nëse unë lëviz në drejtimin e kundërt. Për të shtuar shpejtësinë, duhet t’i rrah krahët.”

Shkencëtarët thonë se “Birdly” mund të shndërrohet në një lojë popullore, por edhe në një mjet të vlefshëm për t’i mësuar publikut se ç’do të thotë të jesh një zog.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat