Kompjuterët e së ardhmes

Teknologji

Kompjuterët e së ardhmes

Më: 5 maj 2015 Në ora: 08:26

Kompjuteri i së ardhmes do të jetë gjithkund dhe askund. Duket si një thënie kontradiktore në vetvete, por Prof. Stefan Jähnichen mund ta sqarojë: "Kompjuterat do të bëhen gjithnjë e më të vegjël, hap pas hapi, ata do t'i fshihen pamjes që shohim ne". Me këtë, profesori për teknikën software në Universitetin Teknik të Berlinit nënkupton atë që kolegët e tij e cilësojnë si "sistemet e integruara". Kompjuterat me kapacitet të lartë në të ardhmen do të bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e jetës sonë të përditshme, do të komandojnë dhe rregullojnë jetën tonë pa e vënë re. "Kush e di sot për shembull se në një makinë të re sot fshihen më shumë se 80 kompjutera, të cilat shoferi nuk i shikon", thotë Prof. Jähnichen. Kompjuteri i së ardhmes do të jetë gjithkund dhe askund”.
Kjo tendencë e kthimit të kompjuterit në shoqëruesin besnik gati të padukshëm të njeriut do të zgjerohet edhe më shumë në të ardhmen. Kjo i bën shumë gjëra të mundura. Asnjë pronar shtëpie në të ardhmen nuk do të shkojë me pushime pa e kontrolluar, "shtëpinë e tij inteligjente" që nga larg. Asnjë punonjës firme nuk do të niset në udhëtime biznesi, pa e pyetur më parë asistentin e tij të identifikimit pamor mbi partnerin e bisedimeve. Dhe asnjë kirurg nuk do të bëjë operacione, pa e përgatitur më parë operacionin me asistentin e tij dixhital.
Vizioneri i fushës së kompjuterave Prof. Jähnichen ëndërron që në fund të gjithë kësaj udhe zhvillimi të kemi një chip, i cili të mund të transplantohet edhe në tru. Përmes programeve universale të memorizimit, njerëzit do të munden që në internet të kërkojnë të dhënat e që duan në "Cloud Computing", ose në "retë dixhitale". Perspektiva të tilla bëjnë që vetë smartphones dhe kompjuterat e sheshtë të futen në vitin 2030 në Muzeumin e Informatikës. "Në të ardhmen, elementët memorizues do të bëhen më të vegjël dhe më efektivë, edhe procesorët do të bëhen më të fuqishëm dhe më të vegjël.
Prej kohësh procesorët e ashtuquajtur "multicore" po zëvendësojnë kompjuterat klasikë. Në vend të një apo të pak procesorëve si sot në një chip komjuteri, në të ardhmen do të kemi mijëra, procesorë të pavarur nga njëri-tjetri në një chip të tillë. Kjo do të bëjë që në të ardhmen të rritet vazhdimisht kapaciteti i kompjuterave.
Komunikimi njeri-kompjuter do të futet në rrugë të reja deri në vitin 2030. Informatat dhe komandat nuk do të jepen përmes tastaturës apo mausëve, por përmes formave të reja që do të jenë shumë më tepër interaktive, thotë Prof. Stefan Jähnichen. Dëshira e tij është që të ketë në të ardhmen një "laps multifunksional", me të cilin do të bëhet më e lehtë dhe intuitive përdorimi i kompjuterave. Një laps i tillë në dorë do të mjaftojë që të ndezësh apo mbyllësh si sistemin e ngrohjes në shtëpi, lavatriçen apo pajisje të tjera.
Me përparimin e teknikës së kamerave dhe përpunimit të pamjes, ky laps mundet madje në të ardhmen të bëhet i panevojshëm si instrument sinjalizues. Vetëm me gishta apo zë, njeriu do të duhet të komandojë kompjuterat e integruar. "Në secilin nga gishtat qëndron një komandë më vete si për radion ashtu edhe televizionin tim", thotë Prof. Jähnichen. Çdo gjest shkakton një veprim, si për shembull ndërrimin e programit apo ndryshimin e volumit. Kompjuterat e 2023-ës, madje kanë mësuar edhe "të flasin".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat