Domeini “.app” zyrtarisht i përket Google

Teknologji

Domeini “.app” zyrtarisht i përket Google

Më: 28 shkurt 2015 Në ora: 15:38

Kompania Google sapo ka paguar 25 milion dollar për të pasur të gjitha të drejtat ekskluzive mbi ueb domeninin “.app”. Google vendosi të aplikonte për këtë domein të nivelit të lartë duke filluar që nga viti 2012, 4 vitë pasi ICANN, organizata që kontrollon të gjithë domeinet e botës, vendosi të zgjeronte numrin e TLDs(domeinet e një niveli të lartë).

Në atë moment Google aplikoi për dhjetra domeine si .docs, .android, .free, .fyi, .foo, .app etj.

Organizata ICANN gjithmonë ka aplikuar në formën e ankandeve për shitjen e domeineve që nga qershori i vitit 2014, një proçes ky tepër i kushtueshëm dhe konkurues. Gjatë këtyre ankandeve Det Tech LLC shpenzoi 6.7 milion dollar në blerjen e domeinit “.tech” vitin që shkoi duke mundur Google e cila gjithashtu u ofrua ta blinte. Ndërkohë Amazon ka blerë domeninin “.buy” për afërsisht 5 milion dollar dhe “.spot” për 2.2 milion dollar në vjeshtë të vitit që lamë pas. Relativisht investimi 25 milion dollarësh në blerjen e domeinit “.app” duket goxha i lartë në krahasim me blerjet e kompanive të tjera. Kjo është shuma më e madhe që një kompani ka paguar në këto ankande.

Aktualisht Google i lejon njerëzit të regjistrohen në domeinet “.how”, “.soy” dhe “.minna”, të cilët janë të akredituar nga ICANN. Google gjithashtu planifikon të ofrojë regjistrim në domeinet e nivelit të lartë siç janë “.dad”, “.here”, “.eat” dhe “.new”, së shpejti dhe në “.app”. “Ne jemi tepër entuziastë dhe kuriozë për potencialin e domeineve të nivelit të lartë. Ndihemi të gëzuar që zotërojmë domeine si “.app”, “.how”, “.minna” pasi ato kanë potencialin për të sjellë risi në fushën e internetit’, deklaroi një zëdhënës i Google për Bussines Insider.

Edhe pse Google akoma nuk ka bërë të ditur planet që ka për domeinin “.app”, kjo blerje mund ti ofrojë kompanisë një mënyrë të re kreative për promovimin e aplikacioneve. Kompania paralelisht është duke ndërmarrë hapa të tjerë për të ndihmuar zhvilluesit në promovimin e aplikacioneve . Së fundmi ajo ka lajmëruar se do të fillojë testimin e reklamave të kërkimit në Google Play Store./pcworld.al/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat