BE ofron mbështetje për mbrojtjen e të dhënave personale

Teknologji

BE ofron mbështetje për mbrojtjen e të dhënave personale

Më: 27 janar 2015 Në ora: 21:32

Në Prishtinë po mbahet një konferencë që ka për qëllim avancimin e mbrojtjes së të dhënave personale, tash në këtë kohë të globalizimit e digjitalizimit.

Nën titullin "Privatësia në Epokën Digjitale", konferenca ka mbledhur jo vetëm zyrtarë të lartë të Kosovës, por edhe të vendeve të rajonit dhe kompanive të fuqishme globale që operojnë nëpërmjet internetit.

Kushtetuta e Kosovës ofron bazë të mirë për mbrojtjen e të dhënave personale. Kështu tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Ne në Republikën e Kosovës kemi një bazë të mirë kushtetuese dhe ligjore për të punuar në këtë drejtim, dhe unë personalisht përgëzojë Agjencinë për të mbrojtjen e të dhënave personale për punën e mirë që ka bërë deri më sot unë ju siguroj se Kuvendi nuk do të kursej asgjë në projektet e kësaj agjencie”, tha Veseli.

Përfaqësues të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale thanë se me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve për mbrojtjen e të dhënave personale, kanë zhvilluar projekte në 20 shkolla të mesme të vendit.

“Edhe Kosova në këtë drejtim është përdoruese e madhe e internetit, ndërkohë agjencisë i janë drejtuar 30% e pyetjeve dhe kërkesave që për natyre kishin shkeljet dhe ndërhyrjet e ndryshme abuzive në faqet sociale dhe të telekomunikacionit”, tha Ruzhdi Jashari, Mbikëqyrësi kryesor në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ndërsa, përfaqësues të Zyrës së BE-së në Kosovë edhe një herë ofruan mbështetje për këtë agjenci.

“Jemi dëshmitarë të globalizimit sot dhe natyrisht që kemi shumë përfitime, por, paralel me përfitimet janë edhe disa sfida që duhet të përballemi e që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale. Në mënyrë që të sigurohemi se të dhënat tona janë të sigurta duhet të jetë edhe legjislacioni në rregull, e BE në Kosovë do të vazhdojë ta ndihmojë Agjencinë për përforcim të më tutjeshëm në këtë kohë të digjitalizimit”, tha Radica Nusdorfer nga Zyra e BE-së.

Në këtë konferencë që do të vazhdojë edhe nesër, folën edhe përfaqësues të Policisë së Kosovës, si dhe përfaqësues të Facebook-ut, Google-s, Microsoft-it e disa faqeve të tjera sociale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat