Aplikacioni që ju lejon të krijoni marrëdhënie false

Teknologji

Aplikacioni që ju lejon të krijoni marrëdhënie false

Më: 25 janar 2015 Në ora: 09:48

Sa herë keni gënjyer se keni një partner/e vetëm për të kaluar poshtërimin e të qenët beqar? Dyshimi ka qenë një pjesë padyshim torturuese dhe e ka thelluar më tepër gënjeshtrën tuaj, duke e koklavitur procesin e bindjes së të tjerëve.

Për t’i dhënë një herë e mirë familjes dhe miqve tuaj të kuptojnë se tashmë jeni të angazhuar në një lidhje dashurore, ekzistojnë dy aplikacione të reja që ju ndihmojnë të krijoni një marrëdhënie false.

E dashura e padukshme dhe i dashuri i padukshëm, janë aplikacione që do t’ju çojnë mesazhe bindëse dhe madje mesazhe zanore nga një partner virtual si ‘provë’ e një marrëdhënieje.

Aplikacionet u krijuan që beqarët nën presion – por që nuk duan të dalin në takime me të tjerë – të gjejnë një partner, të mund të praktikojnë flirtimin, ose thjesht ta përdorin shërbimin për t’i qetësuar të afërmit e tyre.

Kompania me bazë në Sait Louis, SHBA, shkruan në faqen e vet të internetit: ‘I dashuri i padukshëm ju jep prova të vërteta dhe sociale se jeni në një marrëdhënie, edhe pse nuk jeni – kështu mund të vazhdoni ta jetoni jetën sipas kushteve tuaja’.

Aktualisht i disponueshëm si një version privat në SHBA dhe Kanada, përdoruesit mund të shkarkojnë një aplikacion me gjini të caktuar dhe të fillojnë të marrin mesazhe nga partneri i trilluar, për rreth 25 dollarë në muaj.

Për të filluar, ata duhet të zgjedhin një të dashur mashkull ose femër nga një ‘librari e gjerë’ përpara se të fillojnë ta përshtatin personalitetin e avatarit, duke vendosur sesi do të dëshironin të ndërvepronin.

Ata do të mund të shpërndajnë foto dhe të krijojnë një histori të besueshme për miqtë sesi janë njohur, gjë që do të hartohet nga aplikacioni, duke zgjedhur skenarë si një bar, në pushime apo ngjitje në mal.

Abonimi mujor do të përfshijë 100 mesazhe me shkrim, 10 mesazhe me zë dhe madje edhe një letër të shkruar me dorë, tregon bashkëthemeluesi Kyle Tabor, i cili sqaron se kompania ka nisur tashmë nga puna për të planifikuar paketa të reja.

Ideja është që përdoruesit beqarë mund t’u tregojnë mesazhe të kënaqshme miqve dhe familjes që të kapërcejnë situatat e çuditshme sociale të të qenët pa një partner.

E thënë thjeshtë, kjo platformë ndihmon të krijoni histori të besueshme dhe të arsyeshme, që mund t’ia tregoni kujtdo. Këto histori janë të mbështetura nga provat virtuale dhe të vërteta.

Mesazhet me shkrim, sipas kompanisë, do të jenë një përzierje e mesazheve automatike dhe atyre të shkruara nga njerëzit.

Ndërsa ‘provat’ mund të shtrihen një ditë në dhurata dhe lule të dërguara nga kompania dhe të paguara nga përdoruesi, është vendosur që të lihen jashtë fotot nudo dhe mesazhet seksuale të partnerit.

Aplikacionet vijnë sepse një nga bashkëthemeluesit, Matt Hoffmann, u divorcua së fundmi dhe ishte i lodhur nga ndjesia që të tjerët të shtyjnë të dalësh në një takim.

“Në prag të Ditës së Falënderimeve, mamaja më telefonoi dhe më pyeti nëse duhet të krijonte një vend shtesë në tryezë për ndonjë person që do të sillja unë”, shpjegoi ai.

“Në atë moment kuptova se sa mirë do të ishte të kisha një përgjigje për të, por njëkohësisht të mos më duhej që të dilja me dikë në takim.

Ideja e partnerëve virtualë fitoi një konkurs fillestar, gjë që i inkurajoi dy bashkëthemeluesit të ndërtonin aplikacionet.

Që atëherë, ata kanë punuar për të gjetur një mënyrë që t’i bëjnë mesazhet me shkrim dhe me zë më të besueshme, duke mundësuar që përdoruesit t’i shkruajnë partnerit të padukshëm dhe të marrin një përgjigje të saktë.

Themeluesit besojnë se aplikacionet e tyre prekin një problem universal të presionit shoqëror mbi një beqar, i cili nxitet të jetë në një marrëdhënie.

Aplikacionet nuk janë nxjerrë ende në treg, por do të jenë të disponueshme së shpejti.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat