Një në pesë qytetarë të BE-së ka përdorur shërbimet cloud në 2014-ën

Teknologji

Një në pesë qytetarë të BE-së ka përdorur shërbimet cloud në 2014-ën

Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 23:13

Përdorimi i internetit është bërë shumë i përhapur në mesin e popullatës europiane, dhe jo vetëm që kemi të bëjmë me një shifër më të lartë përdoruesish të internetit, por gjithashtu këto përdorues po shpenzojnë një kohë të konsiderueshme në internet. Pothuaj 2/3 (65%) e individëve nga mosha 16 deri në 74 vjeç në 28 vendet anëtare të Bashkimit Europian po përdorin çdo ditë internetin. Në vitin 2006 kjo shifër ishte më pak se 1/3 (31%). Përgjatë të njëjtës periudhë, përqindja e përdoruesve të cilët nuk kanë përdorur asnjëherë internetin ka rënë nga 43% në 2006 në 18 % në 2014.

Një formë e re shërbimesh është zhvilluar në vitet e fundit: shërbimet e hapësirës në internet (Cloud). Këto shërbime që vënë në përdorim teknologjinë cloud ofrojnë mundësi për magazinimin dhe shpërndarjen e të dhënave me madhësi të lartë. Përgjatë 2014, një në pesë individë (21%) të moshës nga 16 në 74 vjeç në 28 shtetet anëtare të BE-së kanë përdorur hapësirën cloud për të ruajtur të dhëna si foto, dokumente, muzikë dhe video. Nuk është e habitshme që pjesë më e madhe e këtyre individëve të cilët përdorin shërbimet cloud në 2014 janë kryesisht të rinj ku 35% e moshave 16 deri 24 vjeç rezultojnë të kenë përdorur këto shërbime.

Vetëm një minoritet i vogël përdoruesish të shërbimeve cloud (11%) në 28 shtetet anëtare të BE-së kanë përdorur shërbime me pagesë. Përdorimi i të dhënave në disa pajisje njëkohësisht, lehtësia në shpërndarjen e tyre me individë të tjerë si dhe mbrojtja ndaj humbjes kanë rezultuar arsyet kryesore që kanë nxitur përdorimin e shërbimeve cloud në 2014.

Këto të dhëna vijnë nga Instituti Statistikor i BE-së, Eurostat, dhe paraqesin një pjesë të vogël informacioni të anketës së 2014 për penetrimin e sektorit ICT( Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit) në shtëpitë e qytetarëve Europian. Këto hulumtime përdoren kryesisht për monitorimin e disa politikave Europiane dhe veçanërisht të Axhendës Dixhitale për Europën.

Në Rumani, Bullgari dhe Greqi, një në tre njerëz nuk ka përdorur asnjëherë internetin. Në 2014, përqindja e popullatës që nuk ka përdorur asnjëherë internetin (qoftë në shtëpi apo në punë) ishte ndër më të lartat në vendet si Rumania (39%), Bullgaria (37%), Greqia (33 %), Italia (32%) dhe Portugali (30%). Nga ana tjetër, në Danimakë (3%), Luksemburg (4%), Holandë (5%), Finlandë, Suedi dhe Britani(6%) rezulton më pak se 10 % e popullatës të cilët nuk kanë përdorur asnjëherë internetin.

Ndërsa, numri i individëve që përdorin internetin çdo ditë ndryshon nga 32 % në Rumani në 85% ose më shumë në Danimarkë dhe Luksemburg(87%). Krahasuar me 2006 numri i përdoruesve ditor të internetit është rritur ndjeshëm me 20 % në shtetet anëtare të unionit.

Shërbimet cloud më së shumti po përdoren në Danimarkë dhe Britani. Në 28 shtetet anëtare të unionit, 21 % e popullsisë mes moshave 16 deri 74 vjeç kanë përdorur shërbimet cloud. Këto shërbime ishin veçanërisht mjaft të përdorura në Danimarkë (42% e individëve), Britani (38 %), Luksemburg dhe Suedi (që të dyja 35%) dhe Holandë (34%). Ndërsa kjo përqindje ishte më pak se 10% në vendet si Lituania, Polonia dhe Rumania.

Përdorimi i shërbimeve cloud pa pagesë ishte tipike për çdo vend anëtar të unionit. Po të shohim në grupacionet e moshave, në shtetet anëtare përdorimi i shërbimeve cloud në 2014 ishte tipar i moshave të reja ku rezultojnë më shumë se gjysma e individëve të moshave 16 deri 24 vjeç në Danimarkë, Holandë, Luksemburg dhe Maltë. Ndërsa përqindja e përdorimit të shërbimeve cloud nga moshat 55 deri 74 vjeç ishte më e ulëta në çdo vend anëtar të unionit.

Një numër i lartë përdoruesish të 20 shteteve anëtare përdornin shërbimet falas të cloud në 2014. Vetëm 11 % e përdoruesve paguanin për shërbimet cloud. Në mesin e këtyre shteteve, përqindja e përdoruesve që paguanin për shërbimet cloud varionte nga 5% në Qipro dhe Slloveni deri në 20% në Danimarkë dhe Suedi.

Ky përdorim i shërbimeve cloud kryesisht motivohej nga lehtësia në shpërndarjen dhe aksesimin e të dhënave nga disa pajisje. Këto ishin arsyet e 59 % e përdoruesve të shërbimeve cloud në 28 shtetet anëtare të unionit në 2014. Ndërsa 55 % e tyre ishin të motivuar nga mbrojtja e humbjes së të dhënave që ofronin këto shërbime. 44 % e përdoruesve thanë se arsyeja ishte hapësira e konsiderueshme në dispozicion ndërsa 22 % preferonin shërbimet cloud për mundësinë që ofronin në akesimin e të dhënave të madhësive të larta. (PCWorld Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat