Leotrim Berisha, shqiptari që zgjodhi të qëndronte “përkrah” Google

Teknologji

Leotrim Berisha, shqiptari që zgjodhi të qëndronte “përkrah” Google

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 15:44

Këtë artikull po e shkruajmë pas një muaji që flet i gjithi shqip. Ja historinë do e formulojmë kështu: “Humbën një ndeshje padrejtësisht në Beograd teksa dhunoheshin simbolet kombëtare, ndërsa Facebook vuri një buzëqeshje virtuale e cila është simbolikë e krenarisë të të qenurit shqiptar. Por historia nuk mbaron këtu me shqiptarët, po shkon shumë më larg nga Facebook për tek gjiganti i motorit të kërkimit Google.” PCWorld Albanian e ka ruajtur hapësirën për një kryetitull të tillë “Leotrim Berisha, shqiptari që gjeti gabime të sigurisë në Google.”

Po është e vërtetë, 21 vjeçari student i shkencave kompjuterike pranë UBT - Universiteti për Biznes dhe Teknologji të Prishtinës, është bërë protagonist i një zbulimi kompjuterik të sigurisë në produktet e Google. Kur u kontaktua nga PCWorld Albanian se çfarë e kishte shtyrë të ndihmonte Google, Leotrim Berisha citoi: “Çdo njeri që kryesisht merret me “hacking” mund të ketë dallim nga unë për vetë faktin se sikur të tjerë të kishin zbuluar këtë gabim do ta shfrytëzonin për të dëmtuar, por unë gabimet të cilat i zbuloj nga cilado faqe, përpiqem ti ndihmoj dhe ti lajmëroj dhe kryesisht hulumtoj në faqet që janë me emër, në rastin konkret Google.”

Leotrimi zbuloi për PCWorld Albanian edhe disa detaje të tjera lidhur me mënyrën e kontaktimit të Google, dhe më pas zgjidhja e këtij problem të sigurisë.“Pasi zbulova gabimin e sigurisë së Google, kam dërguar informacionin në Support, duke i vënë në dijeni se këtu keni një gabim. Pas disa çasteve më kthyen përgjigje duke më thënë se jemi duke e shqyrtuar, ku pas disa orëve u njoftova që është rregulluar”. Leotrimi tha se gabimi kishte të bënte me një skript i njohur si “xss - cross site” ku djaloshi lehtësisht mund të kishte përvetësuar shumë informacione nga YouTube.

Dhe në fund të ai shtoi duke thënë për Google: “U pyeta se a dëshiroj të figuroj në atë listë dhe kjo ishte një kënaqësi e veçantë.” Google Hall of Fame është një portal ku listohen të gjithë emrat e atyre që kanë kontribuar në rritjen e sigurisë së produkteve të kompanisë duke gjetur gabime. Dhe Leotrimi ishte njëri prej këtyre që ka zgjedhur të jetë në anën e “të mirëve”. Emri i tij figuron në listën e të falënderuarve nga kompania në kontributin e dhënë për tre mujorin aktual. Në atë listë ndodhen me qindra kontributor të tillë të sigurisë. (PCWorld Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat