Studimi: Brez i internetit, por mezi ia dalin me kompjuterin!

Teknologji

Studimi: Brez i internetit, por mezi ia dalin me kompjuterin!

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 18:57

Një studim i fundit i prezantuar dje në Bruksel dhe në Berlin, i quajtur ICILS (International Computer and Information Literacy Study), që merret me aftësitë kompjuterike në nivel global të nxënësve të shkollave të mesme, ka dhënë shifra të reja e interesante për shumë vende europiane, dhjetë vjet pas studimit të Pizës, të cilësuar për shumë vende si skandaloz, i ashpër, i pavërtetë e jorealist, pavarësisht se rezultatet e tij merren edhe sot e kësaj dite si një bazë e mirë për nivelin e arsimit parauniversitar në BE.

Në listën apo shkallën e pikëve të Pizës, Republika Federale Gjermane, për shembull, renditet me një vlerë mesatare prej 523 pikësh të aftësive. Me këtë nivel, ajo ndodhet pak a shumë në nivelin e vendeve të tjera të Bashkimit Europian (525 pikë), por mbi vlerën mesatare të vendeve të OSBE-së (516 pikë).

Studimi i ICILS-së është kryer nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve në Arsim (Organisation International Association for the Evaluation of Educational Achievement) IEA, e cila koordinon edhe studime të tjera krahasuese si “Timss” apo “Iglu”. 21 vende morën pjesë në këtë studim, ku pjesë e sondazheve në Gjermani u bënë 2000 nxënës dhe thuajse 400 mësues, bënte të ditur dje prestigjiozja “Der Spiegel”.

Lista e vendeve pjesëmarrëse, limitohej tek: Argjentina (Buenos Aires), Australia, Kanadaja (provincat e “Newfoundland”-it, Labradorit dhe Ontarios), Kili, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Gjermania, Hong-Kongu, Arabia Saudite, Republika e Koresë, Lituania, Holanda, Norvegjia, Polonia, Federata Ruse, Sllovakia, Sllovenia, Zvicra, Tailanda dhe Turqia.

Ndërkaq, platforma tjetër, revista “Stern”, duke i kushtuar një artikull rezultateve të këtij studimi, dilte në përfundimin se ky brez është rritur me internetin, por a sillen dhe a dinë ata mjaftueshëm në lidhje me të? Sipas saj, nxënësit gjermanë, sikurse edhe shumë të tjerë, pas këtij studimi, duket se do të kenë nevojë urgjentisht për ndihmë.

Në studim përfshihen pyetje si: Sa të mirëpajisura teknikisht janë shkollat apo mjediset shtëpiake? A i lidhin mësuesit mediat e reja në mësimdhënie? Dhe ndër më të rëndësishmet: Me sa inteligjencë e përdorin nxënësit internetin?

Nxënësit e klasës së tetë, kanë njohuri bazike në kompjuter

Por çfarë tjetër dëshmon studimi në fjalë, nga pikëpamja gjermane dhe jo vetëm? “Studimi tregon se shumica e nxënësve tanë është tashmë familjar me teknikat moderne të informatikës e të kompjuterit”, komentoi presidentja e konferencës së ministrave të Kulturës, Sylvia Lohrmann, rezultatet e studimit në fjalë. Shumë i kritikoi studiuesi Wilfried Bos, pajisjet e teknikën e vjetruar tashmë, që haset në shkollat gjermane.

Sidoqoftë, në studimin e ICILS përsëriten gjetje negative, të cilat janë të njohura nga studime të tjera shkollore. Kështu, rreth 30 për qind e nxënësve në klasën e tetë në Gjermani, mund të arrijnë të përthithin vetëm njërën ndër dy shkallët e ulëta të kompetencave në lidhje me kompjuterët, duke dëshmuar kësisoj pra vetëm njohuri “bazike” të kompjuterit, siç bëjnë të ditur kërkuesit.

Ky grup nxënësish, vlerësojnë më tej studiuesit, që kanë koordinuar pjesën gjermane të studimit, do ta kenë “dukshëm më të vështirë të marrin pjesë suksesshëm në jetën private, profesionale e shoqërore të shekullit të 21″.

Kjo pjesë e të prapambeturve po krijon shqetësime prej vitesh, e ajo sipas studimit ndodhet në nivelin e rreth një të pestës së nxënësve. Po kështu, në këtë drejtim shkon edhe gjetja apo vlerësimi se fëmijët me begraund migrator, paraqiten edhe më keq.

Edhe një herë ekspertët e arsimit konstatojnë se edukimi e arsimimi varen shumë nga sfondi apo prejardhja sociale. Kështu ndodh edhe me njohuritë në kompjuter: fëmijët nga familjet me orientim edukativ e arsimor, janë më të ushtruar e më familjarë në sjelljet e tyre me teknikat moderne të informacionit sesa ata që vijnë nga familjet që nuk kanë pasur shumë akses në arsim.

Si parametër për arsimin e lartë, sipas IEA-s, renditet një kategori në pyetësorin e saj, që ka të bëjë pak me mediat elektronike: nxënësit duhet të pohonin nëse kanë në raftet e tyre më shumë apo më pak se 100 libra.

Çekët, kanadezët dhe australianët renditen më lart

Me 570 nga 503 pikët në arritje, gjimnastët në Gjermani kanë kapur pozicione më të mira sesa ato të vendeve të tjera të vëna nën reforma arsimore. Edhe gjetja se vajzat në mbarë botën paraqiten më mirë sesa djemtë (509 nga 491 pikët), surprizon vetëm në vështrim të parë, pasi ajo përplaset me klishetë e vjetra.

Në fakt, studimi mbi arsimin edhe në studime të mëparshme, i shfaq të rinjtë meshkuj si shqetësim në disa zëra krahasimorë.

Me 570 pikë, gjimnastët gjermanë gjenden mbi mesataren e nivelit të atyre kombeve që kryesojnë listën: këto për shembull janë Republika Çeke (me 553 pikë), provinca kanadeze e Ontarios (me 547 pikë), Australia apo dhe Danimarka (secila me nga 542 pikë). Se nga vjen avantazhi në renditje i këtij grupi kaq miks, pyet e habitur redaksia e “Der Spiegel”, ICILS nuk jep detaje.

Një arsye për sasinë e vogël të kombeve me rezultate të larta, mund të jetë ajo se aplikacionet e vëna re në mësimdhënie shfaqen shumë rrallë. Sipas studimit, para së gjithash janë përpunimi i tekstit, softuerët e prezantimeve dhe bazat e të dhënave ato më të përdorshmet. Qysh te lojërat mësimore, rezultati nis e bjerret.

Në botë sot po rritet një gjeneratë e të ashtuquajturve “digital natives”, banorëve të parë të epokës dixhitale, shkruante dje “Der Spiegel”, duke pohuar se, sipas studimit të ri, ky fakt as që përmendet.

Sigurisht se njohuritë bazë në mbarë botën janë një standard tashmë, megjithatë vetëm dy për qind e nxënësve arrijnë nivelin e kompetencës më të lartë, sipas studimit. Edhe kombe “leader” në këtë aspekt, si Koreja e Jugut, kanë arritur të marrin vetëm 5 për qind.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat