7 mënyrat me të cilat Facebook na e “nxin” jetën

Teknologji

7 mënyrat me të cilat Facebook na e “nxin” jetën

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 08:43

Bota reale duket se është përballë një kërcënimi të vërtetë prej botës virtuale! Pothuajse të gjithë ata që kanë një adresë Facebook-u tregojnë çdo gjë për jetën e tyre: postojnë se ku janë, me kë, se çfarë po bëjnë etj. Pra, varësia ndaj këtij rrejti social sa vjen dhe po bëhet më shqetësuese, duke qenë se shijimi i jetës reale po lihet vërtet pas dore! Për të mos shkuar edhe më tej, më poshtë do të njiheni me shtatë shenja, të cilat tregojnë se Facebook-u po ju shkatërron ekzistencën tuaj. Njohja është hapi i parë për të kuptuar se sa e rëndë është “varësia”.

1– Facebook po ju largon nga programet tuaja të preferuara televizive Kur regjistroni pjesën finale të serialit tuaj të zemrës për ta parë në qetësi, bëni gabimin më të madh kur hapni faqen tuaj të Facebook përpara se të uleni në divan. Duke parë radhën e gjatë të postimeve të ndryshme, ju harxhoni një pjesë të mirë të kohës kot, aq sa nuk keni më dëshirë të shihni serialin, programin apo filmin tuaj të preferuar.

2– Facebook ju shtyn që të punoni keq Kjo është një skenë tipike: të hënën në mëngjes, shefi juaj ju ngarkon me një detyrë që kërkon shumë kohë dhe seriozitet për t’u bërë. Logjika ju thotë që ta filloni menjëherë, por pastaj filloni të mendoni se çfarë të keqe ka nëse kaloni një herë nga profili juaj në Facebook?! U tha- u bë! Në këtë mënyrë kaloni orë të tëra duke bërë “like” dhe komente nëpër miqtë tuaj, ndërkohë që faqja e excell-it për punën, mbetet ende bosh dhe për përfundimin e saj kujtoheni në momentin e fundit!

3- Facebook ju bën një mik të keq Mikja juaj më e mirë sapo është fejuar, martuar apo pret një fëmijë dhe ju çfarë bëni ndërkohë që merrni vesh këtë gjë?! Në vend që t’i dërgoni një pusullë të thjeshtë urimi ose një tufë me lule, apo ëmbëlsirë, i bëni thjesht një koment në profilin e saj! Nuk është aspak e rëndësishme nëse i pëlqeni fotot që ajo publikon! Në rregull, ky është një gjest më vete, por ata të vërtetët janë më domethënës.

4- Facebook çrregullon gjumin Kur sapo mbyllni një ditë të lodhshme pune, vendosni që të shkoni në shtrat nën shoqërinë e një filxhani të ngrohtë qumështi. Por sapo ju vjen gjumi, ju shkon në mendje një kontroll i fundit i miqve në Facebook, i të rejave që mund të kenë ndodhur aty! Ndërkohë që koha kalon sërish kot edhe gjumi ikën bashkë me të! Ndaj tani e dini se përse vuani për gjumë!

5 – Facebook shkakton ankth Një shembull i thjeshtë është ai i postimit të një fotoje që ju e quani tepër të bukur dhe mjaft domethënëse, në të cilën mund të keni dalë për shembull, me të dashurin, shoqen e ngushtë, familjen etj., por merrni më pak se 10 pëlqime! Edhe pse është krejtësisht një budallallëk, thellë në vete ndieni një përçmim social!

6 – Facebook është kthyer në “ngushëllues“ Facebook-u ka zëvendësuar edhe jastëkun tuaj! Dikur hallet i “qanit” me të, ndërsa sot i “qani” me të gjithë në Facebook! Aty shfryni të gjitha mëritë tuaja, frustracionin, inatet, brengat, zhgënjimet, apo edhe lumturitë, vetëm e vetëm që të tërhiqni vëmendjen që meritoni! Mendojeni pak në qetësi: a është ky një tjetër budallallëk që jua ka shkaktuar Facebook?!

7 – Facebook ju bën ziliqar Kjo praktikisht është një lloj frike se mos mbesni “jashtë realitetit virtual”! Është një lloj ankthi social i cili ju shtyn të bëni krahasime me jetën e të tjerëve, duke e konsideruar tuajën perfekte, pa mungesa në qejfe.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat