Microsoft sjell përditësimin e parë në Vëzhgimin Teknik të Windows 10

Teknologji

Microsoft sjell përditësimin e parë në Vëzhgimin Teknik të Windows 10

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 00:19

Microsoft ditën e djeshme njoftoi lëshimin e përditësimit të saj të parë për Windows 10 Technical Preview. Anëtarët e programit Windows Insider të kompanisë do të shohin këtë përditësim të shfaqet automatikisht në menunë e Windows Update. Ju mund të kontrolloni manualisht për përditësimin duke vizituar në kompjuterin tuaj panelin e cilësimeve të kompjuterit PC Settings – Update and Recovery – Preview builds. Microsoft tha se përditësimi do të ketë një madhësi mes 2 GB deri në 2.74 GB.

Ndërtimi i ri do të përfshijë një veçori të quajtur Action Center i cili është paneli i ri i njoftimeve marrë nga Windows Phone për në desktop. Windows 10 tashmë bën të mundur kalimin e dritareve përmes monitorëve me një shkurtesë të tastierës. Kalimi nga një desktop në tjetrin ka sjellë edhe një animacion të kërkuar nga reagime të ndryshme të përdoruesve.

Microsoft paralajmëroi përsëri përdoruesit se Windows Preview është akoma në një gjendje të paqëndrueshme. Probleme si një dizajn i ndërfaqes Wi-Fi i komplikuar, ç’rregullime në Internet Explorer dhe menunë Start, probleme në “zgjimin” e kompjuterëve, problem me lojërat Solitaire dhe Mahjong si dhe shfaqja e ekranit blu të vdekjes janë të pranishme gjatë testimit në këtë ndërtim.

Microsoft fillimisht e lançoi Windows 10 nga fundi i muajit të shkuar, ndërsa një lëshim zyrtar pritet të vijë nga mesi i vitit të ardhshëm. Më shumë se 1 milion përdorues janë bërë pjesë e programit Windows Insider për të testuar Windows 10. (PCWorld Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat