Ora iWatch e Apple-it, rreth 400 dollarë?!

Teknologji

Ora iWatch e Apple-it, rreth 400 dollarë?!

Më: 2 shtator 2014 Në ora: 08:53

Në fillim të kësaj jave, Apple filloi të shpërndajë ftesat për eventin që do të zhvillojë më 9 shtator, ku pritet të prezantohet një model më i madh i Phone-it, si dhe një pajisje që vishet. Kësaj pajisjeje i jemi referuar si ‘iWatch’, megjithatë, sa kohë që nuk kemi një konfirmim zyrtar nga kompania, edhe për emrin e kësaj pajisjeje dyshojmë se mund të jetë i tillë.
Është folur shumë në internet për këtë orë inteligjente. Një tjetër çështje e rëndësishme që lidhet me këtë pajisje ka të bëjë me çmimin. Shumë kompani teknologjike kanë krijuar pajisje që vishen që nuk janë shumë të shtrenjta, duke synuar vetëm të zënë një pjesë të tregut, ndërsa Apple gjithmonë ka synuar që të krijojë pajisje të cilësisë së mirë, por që janë edhe të kushtueshme.
Siç Re/code raporton, edhe pse nuk është vendosur akoma çmimi përfundimtar i iWatch, ekzekutivët e Apple-it kanë deklaruar se kjo pajisje e re mund të kushtojë më shumë se 400 dollarë, kur të dalë në treg në fillim të vitit të ardhshëm.
Re/code thekson gjithashtu se Apple do të krijojë disa versione të ndryshme të pajisjes, duke përfshirë edhe versionet që kushtojnë më lirë. Sigurisht, si çdo informacion i dalë deri tani për orën iWatch të Apple-it, edhe ky informacion është thjesht një spekulim, prandaj nuk duhet ta marrim si të mirëqenë. Urojmë që gjatë prezantimit zyrtar të orës iWatch, Apple të zbulojë edhe çmimin që do të ketë kjo pajisje.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat