Teknologjia në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara

Teknologji

Teknologjia në ndihmë të personave me aftësi të kufizuara

Më: 29 korrik 2014 Në ora: 22:11

Shkencëtarët në Londër po punojnë për të prodhuar një karrige me rrota që mund të manovrohet thjesht duke hedhur sytë në drejtimin ku do të shkojë përdoruesi. Nëse ky projekt realizohet me sukses, programe kompiuterike me kosto relativisht të ulët mund të përdoren për t’u dhënë më shumë liri lëvizjeje personave me aftësi të kufizuara apo pa krahë.

Një numër i madh njerëzish që vuajnë nga skleroza e shumëfishtë apo dëmtimet e shtyllës kurrizore nuk kanë humbur aftësinë për të lëvizur sytë, të cilët komandohen direkt nga truri. Disa teknologji ekzistuese u japin mundësi personave me aftësi shumë të kufizuara të hedhin shikimin mbi shigjeta në ekranin e kompiuterit dhe të orientojnë një karrige me rrota. Por ky sistem ende ka probleme, një ndër të cilat është vonesa e reagimit të karriges nga momenti kur personi hedh vështrimin në ekran.

“Programet aktuale kompiuterike shpesh bazohen tek komunikimi me një ekran kompiuterik, pra ke përpara një ekran ku hedh vështrimin për të dhënë sinjale për drejtimin e lëvizjes. Problemi është se ky sistem e largon vëmendjen e përdoruesit nga mjedisi përreth dhe e drejton tek ekrani, si dhe ka edhe vonesë nga momenti i dhënies së komandës e deri në zbatim”.

Një ekip i udhëhequr nga Dr. Aldo Faisal në Kolegjin Imperial në Londër ka zhvilluar një program kompiuterik që u jep mundësi përdoruesve të orientojnë karrigen me rrota thjesht duke hedhur vështrimin në drejtimin ku duan të shkojnë:

“Sytë tanë nuk janë thjesht një dritare e shpirtit, por edhe një dritare e synimeve tona. Nëse do të shkosh diku, në këtë drejtim apo në atë tjetrin, unë i hedh sytë në atë anë. Ideja është të krijojmë një sistem kompiuterik që deshifron lëvizjen e syve, pra që kap lëvizjen dhe e interpreton si komandë dhe më pas e orienton karrigen me rrota në atë drejtim”.

Dy kamera ndjekin lëvizjet e syve dhe mund të përcaktojnë nëse pacienti thjesht po sheh rrotull apo do të shkojë në një drejtim të caktuar:

“Ndjekim beben e syve dhe përmes procesit të kalibrimit analizojmë se ku e ka hedhur vështrimin individi”.

Informacioni i kapur nga kamerat analizohet në bazë të algoritmeve brenda një të dhjetës së sekondit dhe shndërrohet në komandë veprimi thuajse të menjëhershme:

“Për momentin po lëviz përpara duke para dyshemenë. Kjo realizohet duke parë në dysheme në drejtimin e saktë ku dua të shkoj dhe karrigia me rrota përgjigjet. Hedh vështrimin pak djathtas drejt Uillit dhe karrigja më çon atje; nëse hedh vështrimin majtas, do të shkoj andej. Ajo përgjigjet në bazë të lëvizjes së syve dhe synimit tim për të lëvizur”.

Sistemi me kamera kushton rreth 85 dollarë pasi pjesa më e madhe e punës realizohet me algoritme. Nuk ka nevojë për pajisje të shtrenjta. Ekipi studimor shpreson që sistemi të hidhet në treg brenda tre vjetësh.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat