Apple paditet sërish nga ish-punonjësit e saj

Teknologji

Apple paditet sërish nga ish-punonjësit e saj

Më: 25 korrik 2014 Në ora: 19:14

Ndërsa Apple po bënte publike rezultatet e saj financiare për tremujorin e tretë, një tjetër grup shfrytëzoi këtë moment për të shprehur pakënaqësitë në lidhje me kompaninë. Kompania është paditur nga ish-punonjësit e saj për shkeljen e kodit të punës. Ata kanë deklaruar se u janë mohuar pushimet gjatë turneve si dhe vaktet e ngrënies, gjë e cila bie në kundërshtim me kodin e punës së shtetit të Kalifornisë.

Çështja është shfaqur fillimisht në vitin 2011 nga katër njerëz të cilët kanë punuar tek kompania Apple. Vetëm para disa ditësh kjo çështje u bë publike nga ish-punonjësit. Avokatët e paditësve deklarojnë se më shumë se 20 mijë ish-punonjës të Apple-it, nga dyqanet e deri tek korporata, janë prekur nga shkeljet e kodit të punës.

Përveç të tjerave, paditësit deklarojnë që kanë qenë të detyruar të punojnë për gati 5 orë ose më shumë pa ngrënë as vaktet e ngrënies apo të bëjnë orarin e pushimit. Ka edhe ankesa të tjera që lidhen me vonesat e dhënies së pagesave nga Apple. Ish-punonjësit gjithashtu u shprehën se janë kërcënuar se, nëse ata do të ankoheshin, do të rrezikonin vendin e tyre të punës, ose do të hidheshin në gjyq. Kjo nuk është hera e parë që Apple përballet me akuza të tilla.

Kompania është paditur gjithashtu nga punonjësit e Apple Store të cilët thonë se ata nuk janë paguar për kohën e shpenzuar duke pritur që menaxherët të kontrollojnë bagazhet e tyre personale para se të largoheshin nga puna.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat