Me sytë nga celularët, kalimtarët e hutuar japonezë rrezikojnë të përplasen

Teknologji

Me sytë nga celularët, kalimtarët e hutuar japonezë rrezikojnë të përplasen

Nga: Alex Marshall, BBC Më: 21 korrik 2014 Në ora: 17:15

Japonia i ka përqafuar vonë celularët e zgjuar të teknologjisë më të fundit, por ia mori dorën shumë shpejt. Tani pothuajse gjysma e popullatës ka një të tillë. Por Tokio është një qytet i populluar, ndërsa rëndesa e trafikut, edhe në trotuare po bëhet gjithnjë e më e madhe, pasi kalimtarët i kanë sytë te celularët.

Është ora pesë e pasdites e një të premteje dhe unë po qëndroj në një kafene krah vijave të bardha të Shibuya-s, një nga kryqëzimet më të njohura në botë për kalimtarët.

Është një vend ku çdo dy minuta, më shumë se një mijë banorë të Tokios, që nga ata me kollare deri tek adoleshentët e çmendur pas modës, grumbullohen në tetë pika, gati për të kaluar dhe më pas ecin shpejt në drejtim të njëri-tjetrit.

Duket sikur ata do të përplasen, por ky det njerëzish, anashkalojnë me mjeshtëri njëri-tjetrin, si balerinë të zotë. Është një fenomen kaq interesant, saqë duket se është simboli perfekt i Japonisë: individët që veprojnë së bashku për të mirën më të madhe.

Por unë kam ardhur këtu me shpresën që njerëzit të përplasen. Një vit më parë nuk kisha ndonjë mundësi, por sot falë smartfonëve, dëshira ime plotësohet. Përdorimi i celularëve “të zgjuar” është masiv në Japoni. Në vitin 2012, vetëm një e katërta e japonezëve i përdornin, ku të gjithë ishin të lumtur me celularët e zakonshëm.

Por njerëzit e kanë kuptuar tashmë se smartfonët janë shumë të dobishëm dhe s’mund të injorohen, veçanërisht kur përdoren për të lexuar gazetën dhe filmat e famshëm vizatimorë japonezë, pa lodhur sytë. Më shumë se gjysma e japonezëve tani përdorin një celular të zgjuar, shifër kjo që po rritet shpejt. Bashkë me të edhe një fenomen tjetër, ecja e smartfonëve.

Me kokën poshtë, krahët e shtrirë dhe shikimin tek ekrani, njerëzit ngjajnë si zombi që po kërkojnë prenë njerëzore. Kërkuesit kanë zbuluar se njerëzit jo vetëm që po ecin më ngadalë, por u është pakësuar edhe shikimi me 5 për qind.

Së fundmi, gjiganti japonez i celularëve, NTT Docomo, ka nxjerrë një video, ku tregohet se çfarë do të ndodhte nëse secili do e kalonte rrugën e Shibuya-s duke parë celularin. Do të kishte 400 rrëzime çdo herë dhe vetëm 36 për qind e njerëzve do të mund të kalonin në anën tjetër. Shoqëria e vjetër japoneze, ashtu siç e njohim ne, do të merrte fund.

Në fakt, personi që duket më i shqetësuar për këtë fenomen është një amerikan. Michael Cucek është një këshilltar që jeton këtu për më shumë se 20 vjet. Në kohën e lirë, ai shkruan një blog politik të quajtur Shisaku, që së fundmi është mbushur me postime rreth asaj që ai e quan “ecje e budallepsur”.

E takova Michael në Sugamo, një pjesë të njohur të Tokios me pensionistë, të cilët, kuptueshëm, ecnin të gjithë shumë ngadalë. Ai më tha se ecja e budallepsur nuk do të ishte një problem afatgjatë. Etika e celularit në Japoni është në fakt më e mirë se e kujtdo tjetër në botë. Pak njerëz flasin në telefona në trena dhe adoleshentët nuk guxojnë ta përhapin muzikën nga celulari me zë të lartë për ambientin.

Nëse gjërat do të përkeqësohen shumë në Shibuya, policia do të fillonte patrullimet, duke u tërhequr vëmendjen njerëzve të ngrenë kokat. Derisa kjo të fillojë të ndodhë, ai do të vazhdojë ta ngrejë si problem.

Por a është vërtet ecja e smartfonëve kaq problem? Ka vetëm një mënyrë për ta zbuluar. Largohem nga kafeneja, u afrohem vijave të bardha dhe filloj të shkruaj një email, duke i premtuar vetes se nuk do ta ngre kokën deri sa të kaloj në anën tjetër.

Shpejt rrethohem nga njerëz dhe e kuptoj se është çasti për të kaluar në anën tjetër, pasi makinat kanë ndaluar. Bëj një hap përpara dhe shpejt e gjej veten me këmbë që hynë dhe dalin nga shikimi im pa paralajmërim, çanta blerjesh më fluturojnë drejt fytyrës dhe tërhiqen në çastin e fundit.

Jam i sigurt se do të përplasem, por pas pak sekondash qetësohem. Të tjerë do të kujdesen që të mos përplasen me mua. Por kuptoj se dy njerëz nuk po tregohen të vëmendshëm. Ata janë përballë meje dhe nuk po shmangen. Bëj majtas, po ashtu edhe ata. Kthehem djathtas, ashtu edhe ata. Kemi ngecur. Ngre kokën. Pres të shoh dy persona të tjerë me ecje të budallepsur, por në fakt janë një çift i ri. Duken shumë të dashuruar dhe nuk duan të ndajnë duart nga njëri-tjetri për një idiot që ia ka ngulur sytë smartfonit.

Vajza më sheh me inat, ndaj unë kërkoj ndjesë dhe kaloj përbri tyre. Ai shikim më mjaftoi që të mos eci më i budallepsur, kurrë më.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat