Shitjet e Samsung Galaxy S5 mbeten mbrapa atyre të iPhone 5s

Teknologji

Shitjet e Samsung Galaxy S5 mbeten mbrapa atyre të iPhone 5s

Më: 17 korrik 2014 Në ora: 18:16

Në tremujorin e dytë të vitit 2014 Samsung pësoi një rënie të shitjeve të telefonit të saj inteligjent Galaxy S5 duke shkaktuar kështu edhe rënie të të ardhurave gjatë këtij tremujori. Kompania shpresonte që Galaxy S5 do të ketë sukses dhe do t’i sjellë fitime të mëdha, por në fakt nuk ndodhi kështu.

Një raport i publikuar sot bën të ditur se shitjet e Galaxy S5 mbeten mbrapa atyre të iPhone 5s. Kjo është një goditje shumë e rëndë për kompaninë Samsung, duke pasur edhe parasysh faktin që iPhone 5s ka dalë në treg 8 muaj para Galaxy S5 dhe vazhdon të ketë akoma bum shitjesh.

Firma kërkimore Counterpoint kreu një studim në 35 tregje të botës, dhe zbuloi se shitjet e iPhone 5s arritën në 7 milionë njësi në muajin maj, në krahasim me 5 milionë njësi të shitura të Galaxy S5. Duket qartë se njerëzit në këto tregje kanë preferuar më shumë një pajisje që ka 8 muaj që ka dalë në treg, pavarësisht faktit që një iPhone i ri do të vijë së shpejti në treg.

Samsung nuk ka bërë ndonjë koment në lidhje me këtë raport, megjithatë mendojmë se kompania nuk duhet të jetë edhe aq e shqetësuar duke marrë parasysh faktin që ajo akoma dominon në tregje me pajisjet e saj të cilësisë së lartë.

Shumica e analistëve mendojnë se Samsung do të ketë më shumë sukses nëse në vend të plastikës përdor metalin për pajisjet e saj. Thuhet se Samsung do të prezantojë së shpejti një version të Galaxy S5 me trup prej metali.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat