Blackberry Messenger vjen në Windows Phone, fillimisht prezantohet version Beta

Teknologji

Blackberry Messenger vjen në Windows Phone, fillimisht prezantohet version Beta

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 23:16

Nëse mendoni se ardhja e shërbimit Blackberry Messenger në iOS dhe Android ishte e vonuar atëherë mbërritja e tij në Windows Phone është një revolucion i vërtetë nga Blackberry.

Kompania e testoi lançimin e shërbimit të saj të mesazheve BBM në Windows Phone gjatë muajit shkurt, dhe tashmë përdoruesit më në fund mund të kenë në duart e tyre një version Beta që kompania e njoftoi ditën e djeshme.

Aplikacioni sjell një eksperiencë të ngjashme me atë në Blackberry edhe për Windows Phone me një përqendrim të veçantë në tre kategori: Kontaktet, Bisedat dhe Furnizuesin e lajmeve. Me një gjest duke tërhequr majtas ose djathtas ekranit të smartfonit ose tabletit ju mund të aksesoni kategoritë e tjera. Në fund të ndërfaqes ndodhen tre butona që janë më të përdorurit, ndërsa opsione të tjera mund të aksesohen në menu e cila përfaqësohet nga butoni me tre pika dhe ndodhet djathtas në fund të ndërfaqes.

Një ndër veçoritë më unike të BBM për Windows Phone është mundësia për të vendosur një kontakt në ekranin Start për një akses më të thjeshtë dhe të shpejtë. Përdoruesit mund të bisedojnë me më shumë se një kontakt në BBM dhe kanë mundësi të ndajnë imazhe, zëra, kontakte dhe vendndodhje. Gjithsesi versioni Beta nuk ka akoma afisha që në gjuhën angleze quhen “Stickers”. Blackberry thotë se këto do të vijnë në muajt në vazhdim.

Ekziston edhe një veçori tjetër e quajtur BBM Groups, e cila jo vetëm që ruan privatësinë me grupe bisedash private, por mund të përdoret edhe për ndarjen e fotove mes miqsh. BBM karakterizohet edhe nga një furnizues lajmesh i cili ju mundëson të shikoni kur kontaktet tuaja përditësojnë statusin e tyre ose foton e profilit. Nëse ju doni të bisedoni me miqtë tuaj rreth përditësimeve të tyre të fundit mjafton të klikoni mbi emrin e tij dhe menjëherë do të ridrejtoheni për tek biseda juaj.

Blackberry po e hap versionin Beta për Windows Phone për të gjithë, kështu që përdoruesit të kenë mundësi të testojnë dhe ofrojnë opinionin e tyre ndërsa një lëshim i plotë i aplikacionit kërkon edhe disa kohë. Blackberry Messenger erdhi në iOS dhe Android në tetor të vitit të kaluar ku dhe kompania në fjalë deklaroi se ka pasur më shumë se 10 milionë shkarkime në 24 orët e para.

Kur iOS dhe Android u bënë platformat mobile dominuese në treg, Blackberry nuk e solli BBM në dy konkurrentët e saj, por kjo erdhi me një çmim të shtrenjtë sepse të tjerë shërbime të ngjashme filluan të shfaqeshin si WhatsApp, Telegram, WeChat etj. (PCWorld Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat