Terminatori i Pentagonit

Teknologji

Terminatori i Pentagonit

Më: 24 prill 2014 Në ora: 23:58

Atlas, i gjatë 187 centimetra, është një prej robotëve konkurrues në një garë të krijuar nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes për të prodhuar një robot jetëshpëtues në formë njeriu

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, e ka inspektuar nga afër një robot që i ngjason Terminatorit të Hollivudit dhe përbën eksperimentin më të fundit të shkencëtarëve të Pentagonit.

Por, për dallim prej versionit kinematik, roboti i madh Atlas nuk është i dizajnuar si luftëtar, por si një makinë humanitare e cila do të shpëtonte viktima në rrënojat e ndonjë katastrofe natyrore.

Atlas, i gjatë 187 centimetra, është një prej robotëve konkurrues në një garë të krijuar për të prodhuar një makinë jetëshpëtuese si një njeri, i krijuar nga Agjencia e Projekteve të Avancuara Hulumtuese të Mbrojtjes (DARPA). Gara, e cila do të kërkojë që robotët të qarkullojnë nëpër terrene të vështira dhe të hyjnë në ndërtesa, është hapur pas katastrofës së Fukushimës në Japoni.

DARPA, krahu hulumtues i Pentagonit, i njohur për projekte futuriste që duken si të jenë nxjerrë nga filmat fantastiko-shkencorë të Hollivudit, ia ka treguar Hagelit robotin Atlas, por përveç dritave të tij LED, roboti humanoid është dukur të ketë qenë i fikur në një ekspozim “statik”.

Brad Tousley, shef i Zyrës së Teknologjisë Taktike të DARPA-s, i ka thënë Hagelit se Hollivudi ka krijuar perceptime jorealiste të asaj që mund të bëjnë robotët. Sipas tij, ndërtimi i robotëve që mund të çelin dyer dhe të bartin gjëra kërkon shkathtësi të mëdha inxhinierike dhe kompjuterike.

Shkencëtarët gjithashtu i kanë treguar Hagelit teknologjinë e fundit të protezave, përfshirë një dorë që i përgjigjet impulseve trunore, si dhe një krah që kontrollohet nga lëvizjet e këmbëve.

Menaxherët e DARPA-s i kanë treguar Hagelit edhe teknologji të tjera, mirëpo gazetarët janë detyruar të largohen pas tri demonstrimeve të para, për shkak të ruajtjes së sekreteve ushtarake.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat