Mijëra uebfaqe po punojnë akoma me Windows XP

Teknologji

Mijëra uebfaqe po punojnë akoma me Windows XP

Më: 11 prill 2014 Në ora: 07:08

Jo vetëm përdoruesit desktop refuzojnë të largohen nga Windows XP. Mijëra faqe të internetit janë ende duke përdorur sistemin operativ që nuk ka më mbështetje. Firma kërkimore Netcraft ka bërë kohët e fundit një anketë për muajin prill.

Kompania i ka kushtuar vëmendje të veçantë faqeve të internetit që po përdorin ende XP për të vënë në punë serverët e tyre. Sipas të dhënave të Netcraft-it, Kina mund të jetë shteti që dominon në përdorimin e Windows XP në PC, por kur bëhet fjalë për faqet e internetit me XP, askush nuk ia kalon SHBA-së: rreth 1800 faqe operojnë me XP.

Në përgjithësi, mbi 6000 faqe interneti po përdorin ende XP për të vënë në punë serverët e tyre. Prej këtyre 6000, gati një e treta (1,869) ishin në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Kanadaja dhe Italia renditen në vend të dytë dhe të tretë, me 261 dhe 226 faqe përkatësisht.

Nga faqet amerikane që përdorin XP, 14 ishin qeveritare, ku përfshihej edhe një sistem për postë në ueb për shtetin e Utah, raporton Netcraft. Qeveria, në këtë mënyrë, po merr përsipër rreziqe të mëdha duke marrë parasysh se XP është tashmë pre e sulmeve nga keqdashësit.

Por ka edhe më keq: gati gjysmë milion uebfaqe në të gjithë botën po mbështeten në Windows 2000 për të vënë në punë serverët e tyre, sipas Netcraft. Suporti për Windows 2000 përfundoi tre vjet më parë, në korrik 2010. XP dhe Windows 2000 nuk janë të vetmet sisteme të vjetra që mbeten në përdorim të gjerë.

Netcraft thotë se ka gjetur edhe 50.000 faqe internetit në gjithë botën të cilat po përdorin Windows NT 4.0 për të drejtuar serverëtt e tyre. Mbështetja për NT 4.0 përfundoi në vitin 2004.

Gjithsesi, në rastin e XP-së, në disa vende, nëse bëhet fjalë për faqe që i përkasin qeverive apo institucioneve të rëndësishme mund të jenë nënshkruar kontrata për mbështetje nga Microsoft dhe rregullimet e sigurisë do të vazhdojnë edhe për të paktën një vit tjetër. (PCWorld Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat