Britania e Madhe i paguan Microsoft 5.5 milionë sterlina

Teknologji

Britania e Madhe i paguan Microsoft 5.5 milionë sterlina

Më: 8 prill 2014 Në ora: 11:43

Londër, 8 prill - Qeveria e Britanisë i ka paguar Microsoft-it disa milionë sterlina për vazhdimin e përkrahjes për Windows XP.

Kompjuterët që ende përdorin sistemin operativ përbrenda sektorit publik do të vazhdojnë të marrin azhurnime të sigurisë softuerike për Windows XP, Office 2003 dhe Exchange 2003.

Microsoft-i ka pranuar një shumë prej 5.5 milionë sterlina për të vazhduar përkrahjen për Windows XP – përkrahje e cila ka përfunduar sot (8 prill) për përdorim të përgjithshëm, 12 vjet pas lansimit të tij.

“Kemi arritur një marrëveshje me Shërbimin Komercial Mbretëror (CCS) për t’i ofruar sektorit publik në Britani vazhdim të shkarkimit të azhurnimeve të sigurisë për Windows XP, Office 2003 dhe Exchange 2003 edhe për një vit, deri më 8 prill, 2015”, ka thënë një zëdhënës i Microsoft-it, duke paralajmëruar: “Marrëveshje të tilla nuk e largojnë nevojën për t’u larguar nga Windows XP sa më shpejtë që të jetë e mundur”.

Mirëpo, Sarah Hurrell, IT në CCS, thotë se kanë kursyer së paku 20 milionë sterlina në krahasim me atë se sa do të paguanin nëse do të duhej të kryenin marrëveshje individuale.

Rreth 95 për qind e bankomateve thuhet se funksionojnë përmes sistemit operativ XP, ndërsa bankat do të duhet të shpenzojnë 50 deri në 60 milionë sterlina për një bankë për të kaluar në sistem të ri operativ.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat