Armët e “çmendura”, të prodhuara nga evoluimi i teknologjisë

Teknologji

Armët e “çmendura”, të prodhuara nga evoluimi i teknologjisë

Më: 7 prill 2014 Në ora: 20:50

Gjatë shekullit të 20-të janë bërë shpikjet më të mëdha teknologjike, por gjithashtu është cilësuar edhe si shekulli i luftërave të mëdha. Armët nëpërmjet teknikave kanë evoluar dhe kanë rritur numrin e funksioneve.
Revista amerikane “Scientific” rëndit disa prej tyre, një pjesë të braktisura prej kohësh nga shkencëtarët dhe inxhinierët ushtarakë amerikanë, një pjesë fati i të cilave nuk dihet ende, nëse vazhdon puna apo jo.

E nisim me projektin e parë, “Spruce Goose”. Kur nëndetëset gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore kërcënonin sigurinë e anijeve në ujërat e Atlantikut, qeveria amerikane urdhëroi gjetjen e mundësisë së ndërtimit të një varke gjigante fluturuese, e aftë që të mbante në bord 750 trupa. Projekti i nisur gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore përfundoi në vitin 1947, dy vjet pas përfundimit të konfliktit të madh dhe prototipi i vetëm kreu vetëm një fluturim simbolik në plazhet e Kalifornisë…e më pas u zhduk.
“Cold War UFO”. Bëhet fjalë për një disk fluturues të ndërtuar nga Avro Aircraft LTD, kompani kanadeze.

Projekti fillestar parashikonte një mjet fluturues në gjendje të lëvizë përtej shpejtësisë së zërit, pra supersonik, por realiteti ishte ndryshe. Kanadaja braktisi projektin, që u mor nga ushtria e Shteteve të Bashkuara që kërkonte një mjet fluturues në gjendje të kryente ulje dhe ngritje vertikale dhe të kapte shpejtësi të mëdha në fluturim. Në vitin 1961 projekti u braktis pas dështimeve në teste. Mjeti ishte i paqëndrueshëm kur ngrihej mbi 1 metër nga sipërfaqja e tokës.
“Flying Platform”. Platformat fluturuese, projektet e para të tyre për llogari të ushtrisë datojnë që në vitet e para të shekullit të 20, fillimisht në Evropë e më pas në Shtetet e Bashkuara. Një sërë prototipesh u ndërtuan nga Lackner Helicopter CO. Projekti i braktis kur u provua se drejtimi i këtyre platformave personale ishte tejet i vështirë për t’ua mësuar ushtarëve të thjeshtë.
“Walking Truck”, Makineria që ecën. Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë ushtria amerikane kërkoi një makineri me katër këmbë e të lartë 3 metra. Mjeti ishte në gjendje të ngrinte pesha të mëdha dhe të lëvizte në terrene të vështira. Drejtohej nga një person nëpërmjet lëvizjes së duarve dhe këmbëve. U testua në vitin 1970, por për shkak të konsumit të jashtëzakonshëm të karburantit, plot 190 litra për minutë aktive, u braktis dhe ushtria u përqendrua në investimin tek mjetet alternative për të tilla terrene, helikopterë dhe tanke.
“The Pelican”, Pelikani. I konceptuar nga inxhinierët sovjetikë gjatë Luftës së Dytë Botërore, projekti fluturues supergjigant rikthehet në qendër të vëmendjes vetëm në vitin 2002. Pelikani është në gjendje të transportojë 1.3 milion kilogramë dhe të përshkojë një distancë prej 18.500 kilometra pa patur nevojë për furnizim. Që prej prezantimit në vitin 2002, asgjë tjetër nuk është bërë më publike në lidhje me këtë projekt.
“Inflatable Tank Treads”. Mjet transporti amfib, në gjendje të lëvize si në ujë ashtu edhe në tokë. Lindi si projekt në i Agjencisë Amerikane të Kërkimeve të Avancuara në Departamentin e Mbrojtjes (DARPA) në vitin 2012. Synimi; ndërtimi i një mjeti futuristik në gjendje të përshkojë terrene të vështira në ujë dhe në tokë pa hasur në vështirësi. Edhe për këtë projekt nuk dihet gjë tjetër.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat