Microsoft prezanton platformën Windows App Studio për të lehtësuar zhvillimin e aplikacioneve

Teknologji

Microsoft prezanton platformën Windows App Studio për të lehtësuar zhvillimin e aplikacioneve

Më: 5 prill 2014 Në ora: 23:26

Gjatë vitit të kaluar kompania Microsoft prezantoi një version beta të Windows Phone App Studio, platformë që ndihmon zhvilluesit amatorë të ndërtojnë aplikacione për sistemin Windows Phone. Tashmë kompania ka vendosur të zgjerojë edhe më tutje përdorimin e kësaj platforme duke shtuar suportin për aplikacione për tabletë dhe kompjuterë me sistem Windows. Si rezultat është vendosur që emri i ri i platformës të jetë Windows App Studio.

Shërbimi funksionon nëpërmjet një shfletuesi dhe lejon përdoruesit të zgjedhin një model të gatshëm për të filluar punën e tyre dhe më pas mund të shtojnë tipe të ndryshme përmbajtjesh, përfshirë këtu fotot, videot, RSS dhe përditësime nga Twitter. Gjithashtu është e mundur që të shtohen edhe përmbajtje nga faqet e tjera si YouTube, Flickr dhe Facebook.

Microsoft-i ka përmirësuar simulimin e aplikacioneve duke lejuar përdoruesit të shohin se si do të shfaqet aplikacioni i tyre në pajisjet e ndryshme, përfshirë këtu smartfonët dhe tabletët. Zhvilluesit që kanë ndërtuar më parë aplikacione me versionin Windows Phone të App Studio mund t’i përditësojnë ato për të mundësuar ekzekutimin e tyre edhe në Windows.

Sapo të përfundojë zhvillimi i një aplikacioni, përdoruesi mund t’a shkarkojë atë direkt në pajisjen e vet ose në paketat e shkarkimit për t’a publikuar më pas në një prej dyqaneve online të Microsoft-it. Gjithashtu është e mundur që të shkarkohet kodi burim origjinal për Windows Phone 8.0, Windows Phone 8.1 dhe Windows 8.1.

Momentalisht App Studio është në versionin beta dhe nuk dihet ende se kur do të lançohet versioni i përfunduar. Kompania po punon gjithashtu për të lehtësuar krijimin e aplikacioneve nga zhvilluesit profesionistë për të gjitha tipet e pajisjeve Windows. Një prej njoftimeve më të rëndësishme gjatë konferencës Build të zhvilluar gjatë kësaj jave ka qenë koncepti i aplikacioneve universale. Kjo do të thotë se zhvilluesit do të munden të krijojnë një aplikacione të vetëm që mund të ekzekutohet njëkohësisht tek smartfonët, tabletët, kompjuterët dhe tek Xbox One. (PCWorld Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat