Gmail për Android mund të suportojë së shpejti funksionalitetet “snooze” dhe “pin”

Teknologji

Gmail për Android mund të suportojë së shpejti funksionalitetet “snooze” dhe “pin”

Më: 4 prill 2014 Në ora: 15:11

Sipas disa fotove të publikuara së fundmi në Geek.com lidhur me përditësimin e aplikacionit Gmail për Android mund të kuptojmë se Google është në testim e sipër të disa ndryshimeve të dobishme të ndërfaqes së përdoruesve, përfshirë këtu shtimin e opsioneve “snooze” dhe “pin”.

Aplikacioni i ridizajnuar suporton seksionin “Upcoming” ku ruhen të gjitha ato e-mail-e, përgjigjen e të cilëve keni menduar t’a ktheni më vonë. Ato e-mail-e që etiketohen nëpërmjet opsionit “snooze”, shënohen si mesazhe të lexuara, por sapo përfundon koha e “dremitjes”, e-mail-i do të shfaqet përsëri në krye të postës hyrëse si i palexuar. Ky funksionalitet është me të vërtetë i dobishëm për ata persona që harrojnë të kthejnë përgjigje pasi e kanë lexuar e-mail-in. “Snooze” mund t’a përdorni sa herë të doni për një e-mail të caktuar dhe kohëzgjatjen mund t’a përcaktoni sipas dëshirës.

Dizajni i ri do të lejojë përdoruesit që të veçojnë e-mail-e të caktuara. Nëpërmjet butonit të mësipërm “pin” në krye të aplikacionit do mund të shfaqni vetëm mesazhet e veçuara ose postën e plotë elektronike me të gjitha mesazhet që keni marrë. Kjo është një alternativë më e mirë sesa sistemi aktual me yje, i cili i shfaqte e-mail-et e veçuara në një skedar të veçantë.

Përveç seksioneve Sociale, Promovime, Forume dhe Përditësime që janë tashmë të pranishme në Gmail, versioni i ri përfshin edhe disa seksione të tjera të quajtura Udhëtime, Blerje dhe Financa. Aktualisht, funksionalitetet e përmendura janë pjesë e një eksperimenti brenda kompanisë dhe ndoshta nuk do të jenë asnjëherë të disponueshme për përdoruesit, megjithatë adhuruesit e Gmail duhet të jenë të kënaqur që kompania është në kërkim të mënyrave për të përmirësuar këtë shërbim. (PCWorld Albanian)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat