Facebooku, pistë për bamirësi

Teknologji

Facebooku, pistë për bamirësi

Më: 30 shtator 2018 Në ora: 19:44
Foto ilustrim

Facebook-u ka shërbyer që në fillimet e tij si një mënyrë e lehtë për të përcjellë urime për ditëlindje. Por, që kur Facebooku ofroi një shërbim të ri vitin e kaluar, shumë përdorues po i shndërrojnë urimet e ditëlindjes në donacione për të ndihmuar kauzat e tyre të preferuara.

Përmes këtij shërbimi deri tani përdoruesit e Facebookut kanë dhuruar 300 milionë dollarë për shoqata të ndryshme bamirëse. Korrespondentja Michelle Quinn sjell hollësi:

Stan Jensen është aktiv në punë vullnetare. Ai punon me kafshë të lënduara në Qendrën e Gjitarëve të Detit në Kaliforninë e Veriut. Kjo punë është aq e rëndësishme për Stanin, saqë kur do të mbushte 65-vjeç, ai ftoi 1400 miqtë e tij në Facebook që të dhuronin për qendrën për rehabilitimin e kafshëve.

“Dua që me rastin e ditëlindjes të bëj diçka të vlefshme, jo thjesht të marr urime. Caktova si synim të grumbulloja pesëqind dollarë. Për dy ditë u përmbush synimi, në total arrita të grumbulloj dy mijë e treqind dollarë. Suksesi i kapërceu të gjitha parashikimet e mia,” thotë Stan.

Stan Jensen shfrytëzoi për fushatën e tij të bamirësisë një opsion të ri të Facebookut që u jep mundësi përdoruesve të ftojnë miqtë që të mbështesin një kauzë specifike me rastin e ditëlindjes. Jensen i përgëzoi mbështetësit e fushatës duke u shpjeguar çfarë kishin realizuar:

“U thashë se fondet që kishin dhuruar u përdorën për të blerë një ton peshk dhe se falë bamirësisë së tyre, kafshët e qendrës do të hanin për disa ditë radhazi”.

Facebooku ka tërhequr vëmendje vitet e fundit për rolin që kanë luajtur shërbimet e tij për të përhapur urrejtje apo për të ndikuar në proceset zgjedhore. Por opsioni i donacioneve për ditëlindje dëshmon ndikimin e medias sociale në të mirë të shoqërisë, thotë zëdhënësja e kompanisë, Roya Winner:

“Gjëja më fantastike është se për një vit që nga momenti kur u krijua ky opsion për donacione për ditëlindje, mbi 300 milionë dollarë janë grumbulluar për qëllime bamirësie”.

Këto donacione po japin rezultat real:

“Kemi marrë reagime nga shoqata bamirëse se ky opsion ka ndryshuar mënyrën si grumbullojnë fonde. Më parë shoqatave u duhej të organizonin mbrëmje madhështore gala ose aktivitete me kosto të lartë si fushata promovimi ose informacione përmes postës,” thotë zëdhënësja e kompanisë.

Behnoush Babzani mbushi 35 vjeç këtë vit. Me rastin e ditëlindjes ajo ftoi miqtë e saj të dhurojnë fonde për transplantet e palcës kurrizore, një kauzë që e ka shumë për zemër, pasi ajo vetë përfitoi nga transplantimi i palcës kurrizore:

“Nuk më prodhonte më trupi qeliza të palcës kurrizore. Mbahesha plotësisht e izoluar pasi sistemi im imunitar ishte i paaftë të më mbronte nga infeksionet”.

Ajo krijoi një fushatë donacionesh në Facebook me synimit që të grumbullonte së paku treqind e pesëdhjetë dollarë.

Fushata e saj grumbulloi më shumë se një mijë e shtatëqind dollarë. Ajo thotë për Zërin e Amerikës se nuk ka si të bëhet një dhuratë më e mirë për ditëlindje./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat