Shpejtësi rekord në garën për Hyperloop

Teknologji

Shpejtësi rekord në garën për Hyperloop

Më: 29 korrik 2018 Në ora: 22:28
Elon Musk

Një tren futurist që udhëton në një tunel special dhe përshkruan distancën nga qyteti Los Angeles për në San Françisko brenda 30 minutash... Kjo ishte ëndrra pesë vite më parë e zotit Elon Musk, themeluesi i kompanisë SpaceX. Me kalimin e viteve, ëndërra e tij po i afrohet realitetit. Para disa ditësh në Los Angeles u zhvillua gara e tretë vjetore për mjetin që do tëpërdorë tunelin që quhet Hyperloop. Në këtë garë u shënua një rekord tjetër shpejtësie.

467 kilometra në orë, ky është rekordi i ri i shpejtësisë nga ekipi gjerman WARR Hyperloop, i përbërë nga studentë të inxhinierisë. Kjo ishte gara e tretë vjetore që zhvillohet në qytetin Los Angeles. Më shumë se 600 ekipe nga e gjithë bota morën pjesë në gara. 20 prej tyre arriten finalen ndërsa vetëm tre ishin aq të shpejta, sa të provonin mjetet e tyre në një tunel special mbi 1 kilometër të gjatë. Kriteri kryesor ishte shpejtësia në tunelin me presion të kontrolluar.Florian Janke është përfaqësues i ekipit gjerman WARR Hyperloop.

“Provuam modele të ndryshme, një motor të madh, dy motorë të mëdhenj në të njëjtën shasi, që ishin ide të mira. Përfundimisht zgjodhëm motorë të vegjël që kanë raport të mirë mes fuqisë dhe peshës. Simulimi na tregoi se ky do të ishte varianti më i mirë.”

Inxhinierët thonë se u përballën me vështirësi të papritura, siç ishin pjesët elektronike që nuk ishin të përshtatshme për tunelin me presion të kontrolluar. Antoine Coppens është me ekipin EPFLOOP.

“Përdorëm bateri të tipit D dhe i përshtatëm së bashku në një kuti mbajtëse në një strukturë të bërë me printim 3D që e rrethon kutinë dhe bëmë të gjitha provat e efetshmërisë. Kjo të jep qëndrueshmëri sepse kur bateritë ekspozohen në mjedise me presion, mund të zgjerohen dhe rrezikojnë të shpërthejnë, apo të marrin zjarr. Ndaj kur i mban brenda një foleje, sigurohesh që kjo të mos ndodhë.”

Por ky nuk është i vetmi problem që duan të zgjidhin inxhinierët. Një ekip nga Holanda thotë se një sistem i plotë trasnporti me hyperloop do të eleminonte fluturimet e shkurtra, si dëmet që i shkaktohen mjedisit.Jelle Van Der Zon është me ekipin Delft Hyperloop.

“Këto mangësi ndikojnë tek fluturimet në distanca të shkurtëra deri në 1 mijë e 500 kilometra. Ne mendojmë se duhet rritur cilësia e transportit, pra do të përdoret sistemi me hyperloop. Mund të lidhim distancat prej 500 kilometrash si Amsterdamin, Brukselin, Parisin apo Berlinin.”

Shefi i kompanisë SpaceX dhe sponsorizues i hyperloop, Elon Musk, thotë se gara është për të thyer kufinjtë.

“Gara është për të nxitur njerëzit që të mendojnë për modele të reja transporti, që do të transformojnë rrënjësisht qytetet dhe lëvizjen. Besoj se do të ketë përmirësime rrënjësore.”

Gara e këtij viti tregoi se inxhinierët janë gjithnjë e më pranë kësaj zgjidhjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat