Lajmet e rreme përhapen më shpejt sesa informacionet e kuruara

Teknologji

Lajmet e rreme përhapen më shpejt sesa informacionet e kuruara

Më: 9 mars 2018 Në ora: 20:40
Foto ilustrim

Një ekip kërkuesish në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts kanë da në përfundimin se lajmet e rreme shpërndahen më shpejt në Twitter, krahasuar me informacionet e kuruara me kujdes.

Në një studim të postuar në revistën “Science” nënvizohet se, historive të vërteta u duhet 6 herë më shumë të arrijnë te 1.500 persona në Twitter, krahasuar me historitë false.

Këto të fundit, sipas studimit përhapen më gjerë dhe më shpejt, në mënyrë domethënëse, sesa e vërteta në të gjitha kategoritë e informacionit.

Sipas kërkuesve, kjo është shqetësuese dhe rrezikon që ta bëjë shoqërinë të konsumohet nga falsiteti. Kërkuesit kanë ekzaminuar mijëra lajme të përhapura në Twitter dhe triliona cicërima mes viteve 2006- 2017.

Ata janë bazuar në konfirmimin e lajmeve në 6 burime. Ndërsa kërkuesit e kanë kufizuar objektin e studimit në Twitter, ata nënvizojnë se rezultatet e tyre mund të shtrihen edhe në format e tjera të medies sociale.

Një kategori e veçantë lajmesh të rreme, që përhapen më gjerë dhe më shpejt sesa të gjitha lajmet e tjera, sipas kërkuesve është ajo e politikës.

Studimi tregoi se lajmet e rreme politike janë më virale se çdo kategori tjetër informacionesh false dhe arrijnë tek 20 mijë persona tri herë më shpejt sesa llojet e tjera të informacionit.

Kërkuesit nënvizojnë se nevojitet një zgjidhje për këtë problem. “Të kuptohet sesi përhapen lajmet e rreme është hapi i parë drejt vendosjes së tyre nën kontroll”, shkruajnë ata në raport. “Ne shpresojmë që puna jonë të frymëzojë kërkime të reja, më të gjera, për shkaqet dhe pasojat e përhapjes së lajmeve të rreme, si dhe për kurat e mundshme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat