Fati i një gruaje vije në skenën e Teatrit të Gjilanit - Bota Sot
Fati i një gruaje vije në skenën e Teatrit të Gjilanit

Teatri

E enjte, 16 gusht 2018

Fati i një gruaje vije në skenën e Teatrit të Gjilanit

Më: 26 janar 2018 Në ora: 08:45
Monodrama “Portreti i Pakryer”

Publiku i etur për shfaqje edhe mbrëmë e ka mbushur sallën e Teatrit të Qyteti të Gjilanit, ku në skenë është vënë Monodrama “Portreti i Pakryer”, me autor Besim Rexhaj, me regji të regjisores Elmaze Nura, e me aktrimin e Aurita Agushit.

Këtë shfaqje, në Festivalin e Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, e solli Teatri Dodona, ndërsa në ekipin realizues ishin edhe Memli Kelmendi – muzika, Agnes Nokshiqi – koreografia, Majlinda Kelmendi skenografia e Samka Ferri – kostumet,  derisa për ndriçim ishte përkujdesur Skënder Latifi.

Kjo monodramë zhvillohet në vitet 90-ta të shekullit të kaluar, ku aktorja Aurita Agushi na sjellë personazhin e një gruaje, fatin e saj, përpëlitjen me vetveten, por edhe me të tjerët, për të shpërthyer dufin e revoltës që ka përbrenda vetes.  Ajo ishte viktimë e kurtheve të jetës dhe e kurtheve të familjes së saj, të babait, i cili në vitet e 90’ta ishte pjesë e sistemin politik.

Po ashtu, ajo me vite përpiqet ta ruaj dashurinë për njeriun e jetës, një i burgosur politik, por që letra e lamtumirës nga ai, e sjellë atë në një situatë kritike, në një situatë psikologjikisht të rëndë.

Megjithatë ajo përpiqet t’i ngjallë vetës shpresë, duke u përpjekur që të jetë vetvetja, duke u përballë me konfliktet e brendshme e të jashtme, me vetveten e me të tjerët,  duke luftuar me zërat brenda vetes që e pushtojnë...,  por që në fund tretet brenda errësirës së skenës, derisa në sfond alarmi nxjerrë edhe tragjiken e kësaj shfaqje...

Si rëndom, në debatin pas shfaqjes u dëgjuan edhe përshtypjet e para të publikut dhe kritikëve, me këtë rast, kritiku nga Shqipëria, Mio Gjini, tha se po gëzohet që edhe nata e katërt e këtij Festivali ku në vazhdimësi po shohim se niveli i shfaqjeve po vije duke u rritur, e me këtë edhe emocionet për të mirë.

Ai vlerësoi dramaturgun Besim Rexhaj, duke thënë se teksti i kësaj shfaqje ishte me karakter meditative e psikologjik, që e ka favorizuar regjinë dhe aktorin. 

Përndryshe,  në natën e fundit të Festivalit “Talia e Flakës’, do të jepet shfaqja “Në dorë të fatit...”, nga Teatri “Petro Marko” - Vlorë,  me autor Ledian Gjeçi e regji të Arben Kumbaro, ndërsa pas shfaqjes,  juria do t’i bëjë publike edhe fituesit e çmimeve dhe do të bëhet mbyllja e Festivalit  “Talia e Flakës”, për t’i lënë vend aktiviteteve tjera të parapara në kuadër të Manifestimit Kulturor “Flaka e Janarit 2018” që do të vazhdojnë deri më 31 janar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test