“Portreti i pakryer” reflekton dramën individuale e shoqërore

Teatri

“Portreti i pakryer” reflekton dramën individuale e shoqërore

Më: 22 dhjetor 2017 Në ora: 14:41
Portreti i pakryer

Kolovajza e Norës (Aurita Agushi) që është pamja e parë me të cilën përballet publiku, deshifrohet gjatë gjithë shfaqjes. Ajo nis të rrëfejë se jeta e ka përplasur gjithandej. Është një grua e vetmuar të cilën jeta e viteve ’90 të shekullit të kaluar nuk e ka kursyer për të keq.

Burgu shtëpiak mund të jetë shumë më pak i lodhshëm në krahasim me burgun psikologjik të saj. Është një intelektuale që ka bashkëshortin në burg. E pret tash e një dekadë.

Por gjatë kësaj kohe, ajo përballet me rrethanat që ka krijuar sistemi politik e shoqëror. I ati është pjesë e politikës dhe duket sikur ka gisht në dënimin e bashkëshortit të saj.

Në monodramën “Portreti i pakryer” me tekst të Besim Rexhajt e regji të Elmaze Nurës që është dhënë premierë të mërkurën mbrëma në teatrin “Dodona”, Nora del të jetë detyruar e maltretuar edhe nga i ati. Është portret i një individi që ia ka parë sherrin krejt sistemit shoqëror. Intelektualja ka ardhur deri në atë gjendje sa përplaset me vetminë e muret e shtëpisë deri në atë masë saqë i duket se po dëgjon edhe zëra. E letra e Bardhylit ku merr vesh se nuk do të jenë më bashkë pas burgut, e nxjerr atë krejtësisht nga vetvetja.

Në rreth 50 minuta, Nora sjell pjesën e parë të trilogjisë së Rexhajt që kishte nisur me shfaqjen “Vorbulla” më 2014 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, me regji të Agim Selimit e “Lojë e pafund” që ishte dhënë premierë vitin e kaluar në “Dodonë” me regji të Fadil Hysajt. “Portreti i pakryer” është pjesa e parë e trilogjisë. Shtëpia e Norës mund të krahasohet me burg, por edhe me një çmendinë ku merret shembull se si sistemi politik e shoqëror e ka sjellë individin në prag të çmendjes.

“Portreti...” përfundon ashtu siç edhe nis: në kolovajzë. Kësisoj sikur dëshmon se përplasjet e Norës do të vazhdojnë.

Dramaturgu Arian Krasniqi ka thënë se monodrama ka ardhur këndshëm edhe e realizuar mirë nga regjisorja Elmaze Nura e aktorja Aurita Agushi.

Skenografinë e monodramës “Portreti i pakryer” e ka bërë Majlinda Kelmendi muzikën Memli Kelmendi, kurse kostumografia e Samka Ferrit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat