Marsela Lena, aktorja shqiptare që rrëmben duartrokitjet në teatrot e Athinës - Bota Sot
Marsela Lena, aktorja shqiptare që rrëmben duartrokitjet në teatrot e Athinës

Teatri

E mërkurë, 19 shtator 2018

Marsela Lena, aktorja shqiptare që rrëmben duartrokitjet në teatrot e Athinës

Më: 23 prill 2017 Në ora: 11:32
Marsela Lena

Pas disa debutimeve të suksesshme në Teatrin Kombëtar Grek, si edhe në teatrot e Bashkisë së Pireut e të Larisës, aktorja shqiptare Marsela Lena interpretoi edhe në Teatrin e Beti Arvanitaqit në “Kipseli” të Athinës, ku në një rrugicë të vetme “gëlojnë” dhjetëra teatro përbri njëri-tjetrit. Jeta e skenës së këtushme, edhe pse në një kohë krize të pambaruar, i ka rezervuar aktores shqiptare një vend të lakmueshme për cilindo artist. Me role që spikatin për nga niveli profesional, kjo artiste me origjinë familjare nga Leskoviku, bijë emigrantësh, që ka mbaruar Akademinë e Arteve në Tiranë, është interpretuese e talentuar në komedi e në drame, folëse perfekte e të dy gjuhëve dhe e lakmuar nga regjisorë të të dy vendeve tona.

Ndofta, ndaj është zgjedhur pjesa “Harresa e familjes kolman”, komedi e zezë, vepër e njohur e dramaturgut Argjentinas, prej regjisores greke Maria Passari, si një paralele aktualizuese e asaj krize të përgjithshme politiko-ekonomike të shtetit, e cila prek direkt familjet e thjeshta, të cilat degradohen gradualisht e dekompozohen prej rrënimit ekonomik. Dhe ne do të shohim në skenë një familje të thjeshtë qytetare, ku kreu i familjes është larguar nga jeta dhe ku mbretëron kaosi, me të gjitha plagët e këtij degradimi moral: drogimi i të tërëve, prostitucioni e vjedhja, si edhe një jetesë e rëndomtë, boshe, ku nuk e “merr vesh i pari të dytin” . Bashkëjetesa është në një gjendje mizerabiliteti, pa asnjë rrugëdalje, pa asnjë dritë, ku absurditeti e violenca janë të pashmangshme, tok me një dozë komiciteti që vjen natyrshëm me këtë rrëmujë që ka pllakosur në këta njerëz pa shpresë. Ka mbetur vetëm një gjyshe e moshuar, e droguar edhe ajo, e bija e psikopatizuar, me katër fëmijë prej dy martesave të saj, që krijojnë sherre familjare të pambaruara, rrahjesh e incestesh të tjera etiko-morale e sensuale. Mandej, spostimi i ngjarjes nga banesa familjare në një dhomë spitali, ku shtrohet plaka e shtëpisë, në një gjendje akute, merr trajtat sarkastike të një grotesku të pastër, që do të mbarojë dramatikisht e tragjikisht, si një fund i trishtuar njerëzor…

Duket sikur kemi të bëjmë me një spektakël amatoresk, ku konfuzioni i krijuar në skenë nuk e ka atë pastërti që sugjestionon arti, po kjo bëhet e qëllimshme në atë rrëfim të subjektit që përkon me atmosferën e përgjithshme të një shteti rrumpall, të përfshirë nga kriza e përgjithshme e për ta zbritur më pas në qelizën e tij, që është pikërisht kjo familje e degraduar përfundimisht, e moralit zero. Regjisorja do të kalojë organikisht nga situatat sarkastike e groteske të një gjendjeje gati natyraliste, në disa refleksione psikologjike,që vijnë pikërisht me përfshirjen në ngjarjet e paraqitura të kësaj bije gati të shkëputur nga familja, të interpretuar nga Marsela jonë, ku personazhet do të bëhen disi më serioz, derisa andej nga skenat e fundit komedia e nisur metaforikisht, kthehet në drame dhe aksenti i saj do të ketë alarmin e një tragjedie të përgjithshme sociale, që zvarritet pas një shteti të tërë, si në ato karrocat e prishura!

Të tre “kolonat” që mbajnë ngritur këtë shfaqje të thjeshtëzuar në dukje, do të marrin rëndesë e vlerë me ardhjen e këtij personazhi të katërt, që i takon Marsela Lenës (Veronikës), Edhe gjyshja e interpretuar si figurë demode, klasike, e komedisë realiste, prej Akeksandra Pandelakit, edhe e bija e saj (mamaja e këtyre bijëve e bijave “plang-prishës”), e interpretuar në trajta groteske, por me një vërtetësi të admirueshme nga ana e aktrimit, prej Evri Sofronidhit), nuk mund të jenë të plota e të nënvizuara artistikisht pa këtë personazh të Marsela Lenes, e cila bënë të mundur ndërrimin e raporteve shpërfillëse, arkaike e denigruese , ndaj një “tërheqjeje të vëmendjes” nga qëndrimet e përgjegjshme morale, edhe pse edukata rrënjësore e personazhit të saj, është po aq i cunguar në atë jetesë jashtë familjes, ku edhe ka siguruar një katandi të dyshimtë. Pra, Marsela, di ta shpalos me mjeshtëri e jo menjëherë, karakterin e kësaj Veronike, në një dualitet të përhershëm psikologjik, me kalime aktrimi të përkryera në këtë gjendje heterogjene e tragjikomike që ka përfshirë shtëpinë e saj e që ajo kërkon që ta shpëtojë me domosdo, pa e kuptuar se do ta “marrë lumi” edhe atë nëpër vorbullat që krijohen pa rreshtuar.

Po ajo ka ca çaste të shkëlqyera interpretimi, qoftë kur zbulon atë rrënim të filantropisë së saj, (kur ajo duhet të paguaj për këta njerëz, që spekulojnë paskrupullisht edhe në kthimin e spitalit në një banesë të rehatshme e pa para(!) e sidomos kur do të zbulojë se edhe i dashuri i saj do të rrëshqas në një tjetër marrëdhënie), po brenda kësaj familjeje të rrënuar që është edhe e asaj vetë. Kështu që sarkastikja merr trajtat e tragjikes dhe, tek aktorja jonë e hareshme e rolit me prirje psikologjike, do të shohim se si rrjedhin lotë të nxehtë e të pafajshëm. Ky kalim tepër i çuditshëm nga kaosi, i trajtuar me një rrëmujë skenike, do të qetësohet pikërisht këtu në spital, ku para syve të personazhit të luajtur nga Lena, do të evidentohen dy ngjarje të rëndësishme: marrëdhënia erotike me mjekun e spitalit që e ka favorizuar edhe këtë zhvendosje të familjes në spitalin e tij (për hir të saj!), po edhe të mbarimit, largimit nga jeta të gjyshes s e saj., Dy ngjarje të kundërta që aktorja i përballon mrekullisht me aftësinë e një aktrimi të vërtetë, pa asnjë “krisje” të teatralitetit.

Dhe, nuk mund të mos e vërejnë me një fare zilie, partnerët e saj grek, bashkë interpretuesit, këtë “kolpo skenike” të kësaj aktoreje sfidante (pa e ditur fare që ajo, aktorja shqiptare, është nga ato të paktat, midis të shumtëve, që në moshë fare të vogël, 27 vjet më parë, kalonte me këmbe kufirin grek, pas prindërve të saj, nëpër malet e Leskovikut “të thatë”, derisa ka mbërritur deri këtu, me një formë të plotë artisteje, me diksion kaq të pastër e të bukur të gjuhës së Homerit!), kur edhe publiku grek ia adresoi asaj duartrokitjet më të nxehta!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test